“Shërbeji ligjit”, Konferenca kombëtare e Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, Sadushi: Magjistratë, qëndroni të paanshëm pavarësisht gjithçkaje
Në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, kreu i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, u ka përcjellë mesazh të qartë magjistratëve të rinj mbi rolin dhe përgjegjësinë e tyre në sistemin e drejtësisë.
“Jemi mbledhur sot për të reflektuar për përgjegjësitë e magjistratëve. Ata duhet të ushtrojnë detyrën me vetëdije dhe profesionalizëm. Kjo konferencë ka një domethënie të veçantë, pasi u tregon magjistratëve të rinj se hyrja në këtë profesion nuk është vetëm marrje titulli, por pranimi i një përgjegjësie publike që kërkon dije, karakter dhe vetëdije për ndikimin që drejtësia ka në jetën e njerëzve”, u shpreh ai.
Sadushi theksoi se cilësia më e rëndësishme e një magjistrati nuk është vetëm njohuria profesionale, por aftësia për të qëndruar i paanshëm në çdo rrethanë.
Sipas tij, pavarësisht presioneve apo perceptimeve publike, magjistratët duhet të udhëhiqen vetëm nga ligji.

