AktualitetPolitikëTë fundit

Bardhi: Mazhoranca refuzoi pa argument debatin parlamentar mbi kërkesat e protestuesve

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se mazhoranca refuzoi pa asnjë argument tre kërkesa të opozitës që lidhen me shqetësimet e qytetarëve që prej 26 ditësh protestojnë në Tiranë.

Sipas Bardhit, protesta ka tërhequr vëmendjen e disa parlamenteve evropiane dhe të eurodeputetëve, teksa shtoi se i vetmi institucion që nuk i ka kushtuar vëmendje këtyre shqetësimeve është Parlamenti i Shqipërisë.

“Grupi parlamentar i PD-së ka dëgjuar dhe vlerësuar shqetësimet e qytetarëve që prej 26 ditësh protestojnë në bulevardin qendror të Tiranës. Protesta ka marrë vëmendjen e disa parlamenteve evropiane, ka marrë vëmendjen e eurodeputetëve në seancën e fundit plenare të PE-së. I vetmi parlament që nuk i ka kushtuar asnjë vëmendje shqetësimeve të qytetarëve është Parlamenti i Shqipërisë”, tha Bardhi.

Bardhi bëri të ditur se grupi parlamentar i PD-së ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin, për të marrë informacion nëse qeveria ka ndërmarrë masa për adresimin e shqetësimeve të qytetarëve. Gjithashtu, sipas tij ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat për këtë çështje, si dhe për diskutimin e rezolutës së Parlamentit Evropian.

“Grupi i PD-së ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin në raport me shqetësimet e qytetarëve. Duhet të japë informacion nëse ka marrë ndonjë masë për të adresuar shqetësimet e qytetarëve. Kemi kërkuar mocion me debat për adresimin e shqetësimeve të qytetarëve, si dhe rezolutën e Parlamentit Evropian që cakton detyrat e shtëpisë për Republikën e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Të tre kërkesat janë refuzuar sot pa asnjë argument nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe me gënjeshtrën e tyre se po tentojmë të bëjmë rolin e zëdhënësve të protestuesve”, tha ai.

Sipas Bardhit, kërkesa për debat në Kuvend lidhet me nevojën për të diskutuar shqetësimet e qytetarëve dhe për të mos u sjellë sikur ato nuk ekzistojnë.

“Nuk kemi pretenduar të bëjmë zëdhënësin e qytetarëve, por nuk mund të bëjmë sikur nuk jetojmë në Shqipëri Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar një debat në Kuvendin e Shqipërisë; ne nuk mund të sillemi sikur qytetarët nuk kanë shqetësime. Të tre kërkesat tona janë të drejta. E drejta për të kërkuar mocion me debat është një e drejtë që na e lejon Rregullorja e Kuvendit”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se shqetësimet e qytetarëve që protestojnë kanë gjetur pasqyrim në rezolutën e Parlamentit Evropian.

”Arritën deri aty sa t’i vinin kyçin Kuvendit të Shqipërisë, kanë mbyllur Kuvendin dhe janë të shqetësuar që në atë Kuvend të diskutohet për kërkesat e qytetarëve dhe arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në protestë. Kjo është e papranueshme”, tha Bardhi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com