Policia e Tiranës dhe forcat RENEA kanë zhvilluar një tjetër operacion gjatë natës në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, për të arrestuar Ylli Zallën, i shpallur në kërkim prej muajsh për arsenal armësh.
Edhe këtë herë, Zalla i ka shpëtuar arrestimit, pasi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, pavarësisht informacioneve të marra për vendndodhjen e tij.
Siç njofton zyrtarisht policia, ai është arratisur nëpër errësirë duku u futur në pyll. Gjatë këtij operacioni, në pranga ka rënë një 55-vjeçar i cili dyshohet se e ka ndihmuar të largohet nga banesa. Kështu, në banesë iu gjet një pistoletë me fishekë në fole gati për qitje dhe një celular që nuk arriti ta merrte me vete. Në vijim të kontrolleve, u gjet sërish municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Në banesë u konstatua edhe i vëllai, i cili më herët ishte shpallur në kërkim për llogari të Policisë Lezhë, por që do të hetohet në gjendje të lirë. Ky i fundit, dyshohet si bashkëpunëtor në ngjarjen e ndodhur më 10 qershor në Fushë-Krujë, ku në një ambient të hapur ka shpërthyer një sasi tritoli.
49-vjeçari është shpallur në kërkim që prej nëntorit të vitit të shkuar, i dyshuar se ka lidhje me atentatin e bujshëm të Rinasit, kur u vra Gilmando Dani dhe shoku i tij, Muçi Shaljani (Sheqeri).
Më herët, në banesën e tij është zbuluar arsenal tipik ushtarak.
Përtej dyshimeve se ai mund të ketë ndihmuar autorët për kryerjen e ekzekutimit të Danit më 11 nëntor 2025, ekziston një e shkuar e errët kriminale.
Zalla është arrestuar dikur për posedim të municioneve luftarake dhe lëndëve plasëse. Po ashtu rezulton i skeduar edhe për rekrutim të shqiptarëve që i kanë dërguar për të luftuar me ISIS-in. Ndërsa disa vite më parë, ai ka kërcënuar pronarin e një fabrike në Fushë-Krujë.
Fraksion.com