Marrëveshje të mira energjetike me Turqinë?
Ministri turk sheh shanse të mëdha bashkëpunimi
Dhe rritja ekonomike është pikërisht ajo që ekonomia gjermane në ngadalësim ka urgjentisht nevojë. Gjermania është partnerja më e madh tregtare e Turqisë. Rreth 8600 kompani gjermane janë aktive në Bosfor. Këtu ka potencial, vlerëson ministrja e Ekonomisë. Në Turqi po investohen shuma të mëdha në teknologji të reja, në energji të rinovueshme, në ruajtjen e energjisë elektrike dhe në infrastrukturë – pavarësisht inflacionit marramendës dhe normave të interesit që aktualisht janë mbi 30 për qind.
Ministri turk i Tregtisë, Ömer Bolat, vlerësoi bashkëpunimin ekzistues në energjinë e erës dhe atë diellore. Ai shprehu optimizëm për më shumë: “Ne besojmë se kjo histori suksesi do të përsëritet disa herë në vitet e ardhshme dhe do të krijojë mundësi të reja për investitorët dhe kompanitë e teknologjisë në vendet tona.”
Turqia si nyje energjetike
Furnizuesi gjerman i energjisë Uniper synon, sipas drejtorit të tij Michael Lewis, i cili e shoqëroi delegacionin, të zgjerojë angazhimin në shpërndarjen e gazit dhe tregtinë ndërkombëtare të gazit natyror në Turqi. Kreu për Evropën i Siemens Energy, Frederik Doyé, sheh mundësi të mëdha në zgjerimin e një rrjeti të qëndrueshëm energjetik në Turqi, si një lidhje Lindje‑Perëndim midis Azisë Qendrore dhe Evropës. Prej disa vitesh, Turqia po pozicionohet si një nyje për gazin, naftën dhe energjinë elektrike në rajon – si një urë lidhëse mes Detit të Zi, Lindjes së Mesme dhe Evropës Juglindore.

Rusia është furnizuesja më e madh e gazit për Turqinë
Aktualisht, rreth 40 për qind e gazit natyror vjen në Turqi nga Rusia përmes gazsjellësit TurkStream. Kjo duhet të ndryshojë, kërkon Bashkimi Evropian nga Turqia si vend kandidat për anëtarësim, për shkak të luftës së agresionit rus kundër Ukrainës. Ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar, la të kuptohet se në parim Turqia synon të bëhet më e pavarur nga furnizimet ruse të energjisë. Megjithatë, ai nuk dha detaje konkrete dhe nuk përjashtoi projekte të reja me Rusinë. Për Uniper-in, furnizuesin gjerman të gazit, prania e gazit rus në rrjetin turk paraqet problem. Për një bashkëpunim të plotë, Turqisë do t’i duhej të certifikonte gazin e saj në mënyrë që të përputhej me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.
Turqia akutalisht po zgjeron ndjeshëm burime të reja, si furnizimet me gaz të lëngshëm (LNG) nga SHBA përmes anijeve cisternë. Gjithashtu, kompanitë turke kanë nisur të shfrytëzojnë fushën e parë të madhe të gazit në Detin e Zi. Tradicionalisht, Turqia furnizohet gjithashtu me gaz nga Azerbajxhani, i cili transportohet përmes tubacioneve nëpër vend drejt Ballkanit Perëndimor, Evropës Juglindore dhe Italisë. Këto sasi pritet të rriten. Diversifikimi – pra zgjerimi i burimeve – është fjala kyçe për ministrin e Energjisë, Bayraktar.
Bllokada në Gjirin Persik si mësim
Bllokada e rrugës detare të Hormuzit për transportet e rëndësishme të naftës dhe gazit, e shkaktuar nga lufta, tregoi sa i rrezikshëm është varësimi nga një zinxhir i vetëm furnizimi, tha ministri i Energjisë, Bayraktar: “Ne si Turqi duam, me një konfigurim gjithnjë e më të madh të tregut energjetik, të garantojmë jo vetëm sigurinë tonë, por edhe sigurinë e energjisë në rajon. Për këtë na duhet edhe më shumë konektiviteti.”
Sipas tij, këto lidhje dhe linja drejt Lindjes së Mesme, Afrikës Veriore dhe Evropës mund të ndërtohen edhe nga kompani gjermane. Nga delegacioni turk në bisedimet në Ankara u tha se kriza rreth ngushticës së Hormuzit mund të jetë, në afat të mesëm, edhe një mundësi për Turqinë.
Qeveria synon ta pozicionojë vendin si një alternativë të sigurt ndaj Gjirit Persik për investime energjetike dhe kapital – një lloj “Dubai të dytë” në Bosfor.

Fusha e gazit pranë Qipros si pikë konflikti
Për një konflikt që vazhdon të ziejë në rajonin e Ankarasë nuk u fol të paktën publikisht. Mosmarrëveshja me Republikën e Qipros për rezervat e mëdha të gazit pranë ishullit mbeti e papërmendur. Qeveria turke pretendon pjesë të këtyre rezervave për gjysmën veriore të Qipros, të cilën e mban të pushtuar në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare prej më shumë se 50 vitesh. Republika e Qipros dhe Bashkimi Evropian i hedhin poshtë këto pretendime. Qipro planifikon të nisë nxjerrjen e gazit vitin e ardhshëm dhe ta transportojë atë përmes tubacioneve drejt Egjiptit, ku do të lëngëzohet dhe më pas do të eksportohet me anije.
Turqia do të donte ta shfrytëzonte vetë këtë fushë gazi dhe ta përfshinte në burimet e saj të diversifikuara. Ministri i Energjisë kishte njoftuar që disa javë më parë se deri në vitin 2028 synohet ndërtimi i një tubacioni nga Qipro drejt një porti turk. Nga pikëpamja logjistike, një transport i gazit nga Qipro drejt rrjetit turk do të ishte gjithashtu i arsyeshëm: nga bregdeti i Qipros deri në portin më të afërt turk janë vetëm 75 kilometra.
Një bashkëpunim më i ngushtë mes Turqisë dhe Greqisë në furnizimin me energji do të ishte i arsyeshëm, por për arsye politike momentalisht mbetet vështirë i imagjinueshëm. Në vend të kësaj, të dy vendet rivale po pozicionohen si nyje energjetike në Mesdheun Lindor. Greqia ka rritur kapacitetet e saj për pranimin e gazit të lëngshëm (LNG). Kompanitë amerikane po shkarkojnë ngarkesat e tyre të LNG-së edhe në portet greke, nga ku më pas ato transportohen drejt Ballkanit Perëndimor dhe më tej në Evropën Qendrore.
Nuk është e qartë nëse ministrja gjermane Katherina Reiche ka trajtuar temat e ndjeshme si mungesa e shtetit të së drejtës dhe kufizimet ndaj lirisë së shtypit. Para bisedimeve, ajo u shpreh vetëm se edhe me partnerë të mirë ka tema të pakëndshme, të cilat megjithatë nuk diskutohen publikisht para mikrofonave.
(Deutsche Welle është gjithashtu drejtpërdrejt e prekur: një korrespondent në Ankara ndodhet përpara gjykatës, pasi akuzohet me gjasa se ka denigruar presidentin dhe institucionet turke dhe se ka përhapur informacione të rreme. Korrespondenti i hedh poshtë këto akuza. Drejtoresha e Përgjithshme e Deutsche Welle kërkon ndërprerjen e menjëhershme të procesit, duke theksuar se kjo tregon se si zërat kritikë synohen të heshten.)/DW
Fraksion.com

