Bozdo: Zhvlerësimi i euros lidhet me pastrimin e parave, Kuvendi ta trajtojë me seriozitet këtë çështje
Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eno Bozdo, tha sot se rënia e vazhdueshme e euros në Shqipëri është pasojë e depërtimit të parave të krimit në ekonomi dhe e dështimit të institucioneve për ta luftuar këtë fenomen.
Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, Bozdo theksoi se gjatë dekadës së fundit euro është zhvlerësuar me rreth 33%, ndërsa akuzoi qeverinë se ka lejuar shtrirjen e kapitalit të kriminalizuar, veçanërisht në sektorin e ndërtimit në qytetet kryesore dhe zonat bregdetare.
Bozdo u ndal edhe tek gjendja e sektorëve prodhues, duke theksuar se bujqësia ndodhet në vitin e gjashtë të rënies së prodhimit, industria në vitin e tretë, ndërsa eksportet, sidomos manifaktura, po përballen me vështirësi serioze.
“Sektori bujqësor, për shkak të këtij fenomeni por edhe të braktisjes nga qeveria, është në vitin e tij të gjashtë të rënies së prodhimit në terma absolutë; sektori industrial është në vitin e tretë të rënies së prodhimit në terma absolutë; sektori i eksporteve, veçanërisht ai i manifakturës, po përjeton një kolaps të plotë: vetëm në 5-mujorin e parë të këtij viti, sipas INSTAT, ai shënon një rënie prej 14%. Sot, pikërisht prej projektit të filluar në vitin 2016 nga qeverisja socialiste, gjendemi në një situatë dramatike për sa i përket jo thjesht rënies drastike ekonomike dhe produkteve “Made in Albania”, por mbi të gjitha sepse kapitali i kriminalizuar ka depërtuar thellë në cdo sektor të ekonomisë, veçanërisht në ndërtim në qytetet kryesore e ato bregdetare”, tha Bozdo.
Në deklaratën e tij, Bozdo kundërshtoi argumentin e qeverisë se forcimi i lekut lidhet kryesisht me rritjen e turizmit. Sipas tij, turizmi ka ndikim, por nuk mund të shpjegojë i vetëm fenomenin e zhvlerësimit të euros.
Bozdo u ndal dhe tek Banka e Shqipërisë që sipas tij “vitin e kaluar, bleu 1 miliard e 27 milionë euro në treg, ku vlerësohet se rreth 800 deri 900 milionë euro janë blerë vetëm për të mbajtur nën kontroll rënien pikiatë të euros. Banka e Shqipërisë iu bashkua refrenit qeveritar duke justifikuar këtë fenomen me “fondamentet e forta” të ekonomisë shqiptare, por faktet flasin se pa ndërhyrjen e saj masive në treg, euro do të kishte kapur nivele shumë më të ulta”.
Sipas tij jemi përpara një situate kur pastrimit të parave u janë hapur dyert plotësisht.
Bozdo kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë ta trajtojë me prioritet çështjen e pastrimit të parave dhe ndikimin e saj në ekonomi.
Ai bëri thirrje që rezolutat parlamentare për institucionet përgjegjëse të reflektojnë një angazhim të qartë për luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit.
“Në këto kushte, Kuvendi i Shqipërisë duhet ta trajtojë këtë çështje me seriozitetin maksimal! Sigurisht kjo nuk varet vetëm nga deputetët e opozitës, të cilët kanë denoncuar që përpara 10 vitesh fenomenin e kanabizimit, atëherë kur askush, madje edhe ndërkombëtarët, nuk flisnin, edhe pse ishin plotësisht në dijeni! Qëndrimi i deputetëve të mazhorancës është kritik për të luftuar këtë fenomen! Ne jemi pikërisht në kohën e hartimit të rezolutave parlamentare, për një pjesë të madhe të institucioneve që janë zyrtarisht përgjegjës për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit!
Këto rezoluta duhet të shprehin vullnetin e palëkundur të ligjvënësve për të luftuar këtë fenomen, duke detyruar institucionet përgjegjëse për të reaguar!”, tha ai.
Fraksion.com

