AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për projektin në Zvërnec: Një propozim për zhvillim turistik u bë qendra e një stuhie digjitale ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, u ndal edhe tek protestat për projektin turistik në Zvërnec.

Rama pohoi se protesta është një tjetër shembull i ndikimit të epokës digjitale. “Këto javët e fundit, vendi im përjetoi dhe vazhdon të përjetojë një shembull të gjallë të kësaj. Një propozim për zhvillim turistik në bregdetin e Shqipërisë u bë befas qendra e një stuhie digjitale ndërkombëtare. Katastrofa mjedisore u paraqit si fakt i provuar. Korrupsioni u shpall i vërtetuar përpara se të ekzistonte ndonjë provë. Teoritë konspirative u shumëfishuan orë pas ore. Pretendimet u bënë tituj. Titujt u bënë të vërteta. Të vërtetat u bënë dogma dhe kushdo që kërkonte prova trajtohej si i dyshuar”, nënvizoi ai.

Kryeministri shtoi se: “e përmend këtë jo sepse vetë projekti ka rëndësi për Europën. Ka, por sepse ajo që ka edhe më shumë rëndësi është ajo çka zbuloi ky episod”.

“Indinjata prodhoi miliona shikime përpara se faktet të kishin mundësi të flisnin. Narrativat bënë xhiron e botës përpara se procedurat e dokumentuara të mund të qarkullonin në një kanal të vetëm. Ky nuk është më një fenomen shqiptar. Është fenomen europian. Fenomen amerikan. Fenomen demokratik dhe nëse demokracitë dështojnë të mbrojnë dallimin mes fakteve dhe trillimeve, mes shqyrtimit të fakteve dhe histerisë, mes kritikës dhe linçimit digjital, ato do të humbasin, herët a vonë, diçka shumë më të vlefshme se çdo argument politik”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit nga Berlini.

Sipas tij, besimin se demokracia ia vlen dhe kur besimi zhduket, institucionet ndryshojnë vetë fiziologjinë e tyre.

“Kur institucionet ndryshojnë në vetë fiziologjinë e tyre, politika kryesore humbet legjitimitetin. Kur legjitimiteti gërryhet, demagogët lulëzojnë. Qendra zhduket. Skajet zgjerohen. Politika kthehet në një garë përshkallëzimi, jo në kërkim zgjidhjesh. Ajo që sot duket ekstreme dhe kjo edhe më çmenduri, nesër sfidohet nga diçka edhe më ekstreme. Demokracia zakonisht nuk bie kurrë, se njerëzit ndalojnë së votuari. Demokracia bie, kur qytetarët nuk besojnë më e vërteta ekziston në mënyrë të pavarur përtej përkatësive të tyre klanore”, vuri në dukej Rama.

Sipas tij, kështu zbrazen nga brenda sistemet demokratike. “Jo përmes tankeve. Jo përmes grushteve të shtetit, por përmes zëvendësimit gradual të realitetit me klane alternative realitetesh që konkurrojnë me njëri-tjetrin”.

“Prandaj, e ardhmja e Europës nuk varet vetëm nga fuqia ushtarake, konkurrueshmëria ekonomike apo novacioni teknologjik. Varet edhe nga aftësia jonë për të mbrojtur vetë realitetin, për të mbrojtur provat, për të mbrojtur arsyen, për të mbrojtur disiplinën e vështirë, por të pazëvendësueshme, të fakteve”, përfundoi Kryeministri Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com