AktualitetPolitikëTë fundit

“Gënjeshtrat udhëtojnë më shpejt se faktet”, Rama në Bruksel: Dezinformimi, një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Europa

Kryeministri Edi Rama, foli sot në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, për atë që e cilësoi si një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Europa, dezinformimin.

Në fjalën e tij në këtë forum të rëndësishëm Rama tha se, “kjo është një sfidë më pak e dukshme se kërcënimet ushtarake. Duket më pak dramatike se krizat ekonomike, por potencialisht po aq e rrezikshme, në mos edhe më e rrezikshme. Gërryerja e vetë demokracisë”.

Kryeministri u shpreh se, për dekada me radhë kemi menduar se më shumë informacion do të prodhonte automatikisht qytetarë më të mirinformuar, por shtoi ai, ky supozim doli i gabuar.

“Sot gënjeshtrat udhëtojnë shumë më shpejt se faktet. Ne, si shqiptarë, po e jetojmë në realitet atë që thotë një proverb i vjetër i popullit tonë: “Sa të veshë pantallonat e vërteta, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës”. Indinjata përhapet shumë më shpejt se provat. Algoritmet shpërblejnë zemërimin shumë më bujarisht se të vërtetën, sepse e vërteta është e mërzitshme, kurse gënjeshtrat janë argëtuese. Turmat digjitale mund të ushtrojnë më shumë ndikim se institucionet demokratike. Realitete të tëra mund të sajohen, përpara se faktet të arrijnë të ngrenë kokë dhe ndoshta paradoksi më i madh i epokës sonë është se gjithnjë e më shumë ngatërrojmë lirinë e fjalës me lirinë e shpërndarjes”, tha ai.

Rama u shpreh se liria e fjalës është gur themeli i demokracisë.

“Liria e shpërndarjes është një fuqi teknologjike e pashembullt, me të cilën asnjë demokraci nuk është përballur më parë. Gjatë gjithë historisë, çdo sistem propagande është mbështetur mbi të njëjtin parim, gjysmën e parë të jetës e kam kaluar nën një diktaturë dhe e di mirë si funksionon, të mbytë lirinë e vërtetë të fjalës, ndërkohë që maksimizon shpërndarjen e gënjeshtrave të veta”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se, mjetet kanë ndryshuar, por mekanizmi është po ai.

“Dallimi sot është se teknologjia ka industrializuar shpërndarjen. Gënjeshtra nuk ka më nevojë për ministri propagande. E pavërteta nuk ka më nevojë për gazetë. Manipulim nuk ka më nevojë për një transmetues shtetëror. Një algoritëm mund të arrijë sot për pak minuta atë që dikur, makinerive të propagandës, iu duheshin vite ta arrinin”, tha Rama.

Në të kaluarën, shtoi Rama, sistemet autoritare e kufizonin lirinë e fjalës për të monopolizuar shpërndarjen.

Sot, vijoi ai, shoqëritë demokratike mbrojnë shpërndarjen e pakufizuar në emër të lirisë së fjalës.

“Kjo është çmenduri. Këto të dyja nuk janë e njëjta gjë. Liria e fjalës mbron qytetarët nga censura. Liria e shpërndarjes u jep fuqi të pashembullt atyre që manipulojnë perceptimin”, theksoi Rama.

Kryeministri vijoi duke vënë në dukje pyetjet shqetësuese: “Edhe për sa kohë mund të vazhdojnë shoqëritë demokratike ta trajtojnë këtë fenomen sikur të ishte thjesht një zgjatim i lirisë së fjalës? Edhe për sa kohë, qendra, politika e qendrës do të vazhdojë të gënjejë veten se kjo nuk është forca kryesore që po hedh në erë së brendshmi pikërisht qendrën e politikës. Kur manipulimi i koordinuar, rrjetet e bot-eve, amplifikimi algoritmik dhe dezinformimi në shkallë industriale formësojnë perceptimin publik, ndikojnë zgjedhjet, destabilizojnë institucionet dhe shtrembërojnë vetë realitetin, nuk po flasim më vetëm për lirinë e shprehjes. Po flasim për fuqi. Po flasim për siguri. Po flasim për sovranitet”.

Ai nënvizoi se Europa po investon ndjeshëm në mbrojtjen ushtarake, sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën kritike, por shtroi pyetjen se çfarë vlere do të kenë këto investime nëse shoqëritë mbeten të pambrojtura ndaj manipulimit sistematik të mendimit.

“Çfarë vlere do të ketë qëndresa ushtarake, nëse qëndresa demokratike bie? Çfarë vlere do të ketë siguria territoriale, nëse qytetarët humbasin gradualisht aftësinë për të dalluar faktet nga sajesat, miqtë nga armiqtë, interesat e përbashkëta nga interesat e kundërta?Sfida e ardhshme e madhe e sigurisë mund të mos jetë një ushtri që kalon kufirin, por një ortek gënjeshtrash aq i fuqishëm sa të çajë vetë arkitekturën e jetës demokratike dhe ndryshe nga sulmet konvencionale, objektivi nuk është pushtimi i territorit. Objektivi është të pushtohet perceptimi. Të dobësohet besimi. Të ndahen shoqëritë. Të paralizohet vendimmarrja demokratike. T’i bëjë qytetarët të dyshojnë e të fajësojnë gjithkënd që i përfaqëson dhe gjithçka, përveç klanit të tyre digjital”, vijoi Rama.

Kryeministri theksoi se “Europa nuk ka nevojë vetëm për mburojë kundër raketave, por edhe për një mburojë për epokën e algoritmeve”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com