Lihen në burg 4 persona të dyshuar për ndërtim të paligjshëm në Tiranë
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për katër shtetas, të identifikuar me inicialet M.J., F.L., F.Sh. dhe A.Sh., të dyshuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga Kodi Penal.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal, të regjistruar më 8 maj 2026, kanë evidentuar se të dyshuarit kanë tejkaluar parametrat e lejes së ndërtimit në një objekt në rrugën “Llukë Kaçaj”, pas Spitalit Amerikan 2 në Tiranë, si dhe po kryejnë punime ndërtimore jashtë kushteve të miratuara në projektin përkatës duke tejkaluar parametrat e lejes së ndërtimit dhe duke realizuar shitje në mënyrë informale, me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale.
Nga analiza e rrethanave të faktit dhe kohëzgjatjes së aktivitetit ndërtimor rezulton se objekti në fjalë është ndërtuar përgjatë një periudhe disa vjeçare, gjatë së cilës dyshohet se, pavarësisht faktit që janë kryer punime ndërtimore në kundërshtim me lejen e ndërtimit, shkeljet kanë qenë të vazhdueshme dhe të dukshme në terren. Megjithatë, nuk rezulton të jenë marrë masa administrative apo ndëshkuese nga strukturat përgjegjëse të IMT-së dhe IKMT-së. Në këto kushte krijohet dyshimi i arsyeshëm se punonjës apo funksionarë të strukturave të inspektimit të territorit, të cilët kanë pasur detyrimin ligjor për të kontrolluar, evidentuar dhe ndaluar këto shkelje, nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin.
Prokuroria bën të ditur se, nga dokumentacioni tekniko-ligjor rezulton se leja e ndërtimit për një tjetër pallat ka qenë për 2 kate nën tokë dhe 9 kate mbi tokë. Ndërkohë në objektin në ndërtim, rezulton se janë ndërtuar dy kate shtesë në lartësi, pra objekti nuk është me 9 kate mbi tokë, por me 11 kate mbi tokë. Referuar të dhënave të administruara nga IMT Bashikia Tiranë, janë ndërtuar 2550 m2 më shumë se sa janë parashikuar në lejen e ndërtimit (kati 10 dhe 11) në tejkalim të lejes së ndërtimit.
Nga hetimi dhe të dhënat e siguruara rezulton e provuar se shtetasit M.J., F.L., F. Sh. dhe A. Sh. kanë konsumuar elementët respektive për konfigurimin e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm” të parashikuar nga Kodi Penal.
Ndodhur në këto rrethana, ndaj shtetasve M.J., F.Sh., F.L dhe A.Sh, lind nevoja e caktimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ‘Arrest në burg’, pasi ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për caktimin e masave të sigurimit personal të parashikuara nga Kodi Penal.
Fraksion.com

