Begaj në Uzbekistan: Nxisim bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët
Presidenti Bajram Begaj po zhvillon një vizitë zyrtare në Uzbekistan me ftesë të homologut të tij, Shavkat Mirziyoyev.
Gjatë kësaj vizite, Begaj do të marrë pjesë edhe në Forumin Ndërkombëtar të Investimeve 2026, një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare që synon të forcojë investimet dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.
Kreu i Shtetit u prit në Tashkent me një ceremoni zyrtare nga Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev. Kjo është vizita e parë zyrtare e një Presidenti të Shqipërisë në Uzbekistan që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1993, dhe vjen në një moment kur përgjatë dy viteve të fundit marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të re, dinamike dhe premtuese.
Gjatë takimit me Presidentin Mirziyoyev, presidenti Begaj shprehu bindjen se tani është koha që Shqipëria dhe Uzbekistani t’i ngrenë marrëdhëniet dypalëshe nga niveli formal e miqësor në atë të bashkëpunimit konkret, që prodhon rezultate të prekshme në fushat me interes të përbashkët.
Kreu i shtetit vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm, të frytshëm dhe të dobishëm reciprokisht. Kjo vizitë theksoi ai, do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri dhe premtues në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Në takim u diskutuan mundësi konkrete për thellimin e marrëdhenieve në fushat që synojnë bashkëpunimin politik, ekonomik, tregtar, energjetikën, bujqësinë, turizmin, shoqërine dixhitale e inovacioniin, arsimin dhe kulturën.
Presidenti theksoi gjithashtu rëndësinë e konkretizimit të marrëveshjeve në diskutim nga institucionet e dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit në organizmat ndërkombëtarë.
Begaj çmoi forcimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit përmes komunikimit të drejtpërdrejtë midis qytetarëve të dy vendeve. “Ne duhet të forcojmë miqësinë mes dy vendeve, te bëjmë qytetarët tanë të krijojnë marrëdhënie mes tyre, të bëjmë studentët tanë të zbulojnë kultura të tjera, të bëjmë profesionistët tanë të shkëmbejnë dijen e tyre, të bëjmë bizneset tona të krijojnë partneritete të suksesshme, qytetarët tanë të zbulojnë destinacione të reja dhe të njohin njëri- tjetrin nëpërmjet respektit të ndërsjellë”, tha Begaj.
Në këtë kontekst, Presidenti vlerësoi rëndësinë e një lidhjeje ajrore të drejtpërdrejtë ndërmjet dy vendeve.
Nga pala uzbeke u premtua hapja e ambasadës së tyre në Tiranë.
Presidenti Begaj e njohu homologun e tij edhe me hapat e ndërmarra nga Shqipëria për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhë rëndësinë e zgjerimit të unionit në rajonin tonë.
“Për Shqipërinë ky është qëllim, objektiv strategjik dhe mision. Ne po punojmë fort për përmbushjen e reformave të nevojshme për arritjen e standardeve të anëtarësimit në çdo fushë. Ne jemi gati”, tha Begaj.
Fraksion.com

