Irani do të shënjestrojë çdo anije që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit
Komanda ushtarake e Iranit tha të enjten se do të shënjestrojë çdo anije që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit, pasi goditi dy anije që përpiqeshin të kalonin nëpër rrugën strategjike ujore, ndërsa bisedimet për t’i dhënë fund luftës dështuan.
Shtetet e Bashkuara nisën një valë të re sulmesh kundër Iranit të mërkurën, me Presidentin Donald Trump që u zotua t’i “godasë ata fort” pasi akuzoi negociatorët e Teheranit se “na kanë bërë budallenj”.
Komanda Khatam al-Anbiya tha të enjten se “çdo trafik anijesh përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë në shënjestër”, duke shtuar se ngushtica tani është “plotësisht e mbyllur për të gjitha llojet e anijeve”, sipas Agjencisë së Lajmeve Tasnim.
Marina e Gardës Revolucionare të Iranit, e cituar nga televizioni shtetëror IRIB dhe Mehr, tha se “dy anije që përpiqeshin të kalonin ilegalisht nëpër Ngushticën e Hormuzit u goditën”.
“Pas shkeljeve të përsëritura të armëpushimit nga armiku amerikan, Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet deri në njoftim të mëtejshëm”, tha ajo.
“Ne paralajmërojmë se asnjë anije nuk duhet të largohet nga vendi i saj i ankorimit në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. Afrimi në Ngushticën e Hormuzit do të konsiderohet bashkëpunim me armikun.”
Media iraniane raportoi shpërthime në të gjithë jugun e vendit pranë Ngushticës së Hormuzit, e njëjta zonë ku forcat amerikane kishin bombarduar tashmë mbrojtjen ajrore, radarët dhe vende të tjera të martën.
Fraksion.com

