AktualitetPolitikëTë fundit

“Në krye të protestuesve në bulevard”, Alben Kola: Nëse Shqipëria çlirohet, do isha njeriu më i lumtur….

Doli në protestë vetëm për një ditë në mbështetje të një mikeshës së tij, por nuk e dinte që ajo ishte vetëm dita e parë e një tubimi që sot hyn në 11-tën.

Alben Kola, një guidë turistike për vizitorët e huaj që preferojnë Shqipërinë, është vënë në ballë të protestës qytetare, duke ofruar ndihmën e tij me organizimin, megafonin dhe drejtimin e turmës.

Në një intervistë për Kristi Gongon, ai thotë se protesta që tani po shkon në fund të javës së saj të dytë, tashmë e ka lënë edhe pa punë.

“Unë u bashkova për një natë. Ngela dhe pa punë, i kam lënë edhe turistët rrugëve me një kolegen time që është në Maqedoni sot me një grup amerikan”, tregon Albeni.

Megjithatë, shprehet se nuk është pishman, pasi këtë po e bën për atë që ai e quan “çlirimi i Shqipërisë”.

“Shqipëria e para. Nëse Shqipëria çlirohet, unë do isha njeriu më I lumtur që të arrija të jetoja kohën me fëmijët e mi, me nusen time dhe të jetoja jetën i lirë siç i ka hije çdo qytetari të lirë në Europën Perëndimore”, vijon më tej guida turistike në krye të protestës.

Është i vetëdijshëm që rezultatet e kësaj proteste nuk do të vijnë mënjeherë, por është shpresëplotë pasi numëron 7-8 milionë shqiptarë në mbështetje të saj.

Kur pyetet nëse protesta do të prodhojë një forcë politike, këtë ia lë në dorë popullit shqiptar.

Sot në orën 18:00 është paralajmëruar një tjetër tubim dhe për këtë thotë se do të ketë një pjesëmarrje akoma më të madhe falë emigrantëve që kanë ardhur në Shqipëri.

“Mërgata ka 2-3 ditë që ka ardhur, por pritet të vijë sot në 148 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit të ketë një dyfishim. Pastaj është në dorë të popullit”.

Në fund kur pyetet për idenë e një qeverie tranzitore, Albin Kola thotë se ajo duhet të ndërtohet nga rreth 1500 shqiptarë me grada shkencore që kanë bërë betejë si me qeverinë, ashtu edhe me opozitën.

“Me persona të papërlyer, të papërfshirë në politikë, që kanë denoncuar sistemin, që janë përplasur me Ramën dhe opozitës. Janë deri në 1500 shqiptarë me grada shkencore që janë të gatshëm të kontribuojnë edhe pa pagesë. Duhet vetëm që populli shqiptar të dalë në shesh”.

 

Fraksion.com

 

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com