Rama: Nëse proteston që të mos largohen flamingot, nuk mund të kërkosh që të largohet Qeveria
Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër Edi Rama deklaroi sot se çdo protestë qytetare meriton dialog dhe dëgjim, por theksoi se kërkesat duhet të lidhen me kauzën konkrete.
Në takimin me rastin e 35-vjetorit të PS, të organizuar në Apoloni të Fierit, Rama tha se “nëse dikush apo disa dalin në protestë dhe kërkojnë që unë të jem njerëzor dhe i kuptueshëm me ta, ka një minimum etik. Po qe se ajo protestë është shqetësim për Sazanin, është shqetësim për Zvërnecin, për biodiversitetin, për flamingot, minimumi është që të nxjerrësh një grup njerëzish dhe t’u thuash: “Bujrum, uluni me këta njerëz. Këta janë ekspertë, këta dinë çfarë flasin. Tregoni çfarë po ndodh, çfarë ka ndërmend qeveria të bëjë”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë theksoi se nuk mund të përdoret teknika, “nuk ka negociata, largohu”.
“Nëse je në protestë që të mos largohen flamingot, nuk mund të kërkosh që të largohet Qeveria. Duhet të kërkosh llogari për flamingot”, u shpreh ai.
“Të vish sot dhe t’i kërkosh hesap brutal, në atë formë, një shumice qeverisëse që e ka bërë Shqipërinë një vend ku është vendosur nën mbrojtje lumi i fundit i egër i Europës, është shpallur Park Kombëtar Vjosa, ku përfshihet edhe Delta e Vjosës, dhe ajo fjala Narta-Vjosa nuk ka lidhje me projektin, është guxim shumë i madh. Është guximi i atij që nuk ka turp”, theksoi Rama.
“Sepse, në momentin që ti nuk ke turp përpara të vërtetës dhe je i gatshëm ta kthesh në një gënjeshtër për të manipuluar të tjerët e për të shkuar lart e më lart me manipulimin tënd, e pastaj të kërkosh të kthesh përmbys vendin, është diçka që ti mund ta bësh. Jemi në demokraci. Por është diçka që ti duhet ta dish, që me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nuk funksionon”, tha Rama.
Rama tha se PS është shumica qeverisëse që ka refuzuar një numër të pafund koncesionesh për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë. Ne kemi hyrë në beteja të vështira ligjore dhe ndërkombëtare për të mbrojtur lumin dhe interesin publik”, u shpreh ai.
“Kjo parti është sot akoma në një betejë ndërkombëtare me një maskara, i cili është kategoria e atyre nga e cila duhet të ruhet Shqipëria, që Shqipëria nuk duhet t’i pranojë të investojnë këtu. Iu hapën dyert e Shqipërisë, iu dha Vjosa për të ndërtuar hidrocentrale, për të importuar plehra në Shqipëri dhe iu hap rruga për t’u bërë këtu zoti i shtëpisë”, cilësoi ai.
“Nëse do të isha njeriu që shes vendin tim dhe do të isha i rrethuar nga tradhtarë, çfarë problemi kishim ne? Hidrocentralet janë koncesione, i kanë dhënë të tjerët, s’kemi çfarë bëjmë. Nuk do t’u hynim betejave ligjore, se janë të drejta që i ka dhënë shteti shqiptar. Importin e plehrave e ka bërë shteti shqiptar. Dymbëdhjetë hidrocentrale të dhëna nga ai i moszotshmi, që bjeshkët atje lart i dhanë jetën e lindën atje, që njerëzit e bjeshkëve u vranë dhe u sakatuan për t’i shkuar pas atij, dhe nuk ua bëri as rrugën deri në Valbonë, por ua la peshqesh 12 hidrocentrale”, u shpreh Rama.
Fraksion.com

