AktualitetPolitikëTë fundit

“Jo koncesioneve mbi identitetin kombëtar”, Ina Zhupa: Projektligjin e Trashëgimisë Kulturore ma refuzuan dy herë në Kuvend, po rikthehet për herë të tretë me zërin e qytetarëve

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa e njohur për angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe veçanërisht për betejën e saj kundër dhënies në administrim të Parku Kombëtar i Butrintit, ka deklaruar se ndryshimi i Ligjit nr. 27/2018 për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë është një nga kërkesat më të drejta të protestuesve.

Zhupa kujtoi se ka depozituar dy herë projektligjin për heqjen e koncesioneve nga ky ligj, por ai është rrëzuar nga shumica parlamentare.

Sipas saj, legjislacioni aktual i jep mundësi privatëve të vendosen mbi shtetin në administrimin e pasurive kulturore, duke rrezikuar identitetin kombëtar dhe duke e trajtuar trashëgiminë e shqiptarëve si mall tregtar.

Deputetja theksoi se rastet e Butrintit dhe të modelit BID/TID në Durrës dëshmojnë nevojën urgjente për rikthimin e rolit garantues të shtetit mbi trashëgiminë kulturore të vendit.

Reagimi i plotë

Sot, një nga kërkesat më të drejta të protestuesve është pikërisht ndryshimi i këtij ligji. Sepse ky ligj e ka trajtuar trashëgiminë kulturore jo si pasuri kombëtare, por si mall tregtar për interesa klienteliste dhe lobuese. Edhe ne e ridepozitojmë edhe njëherë në kuvend ketë nismë timen që lindi pikërisht nga koncesioni famëkeq i Butrintit.

Ligji aktual vendos privatin mbi shtetin në administrimin e trashëgimisë kulturore, duke krijuar një model koncesionar që bie ndesh me frymën e Kushtetutës. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ngarkon shtetin me detyrën për të mbrojtur identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore, jo për t’ia deleguar atë fondacioneve apo interesave private.

Sot kemi prova konkrete. Në Butrint, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit dhe AADF janë vendosur mbi institucionet shtetërore. Në Durrës, me modelin BID/TID, po përsëritet e njëjta logjikë. Çdo hap larg shtetit është një hap larg garancisë publike për historinë dhe identitetin tonë.

Prandaj, kjo protestë nuk është vetëm për të sotmen. Është për Shqipërinë e brezave që do të vijnë. Dy herë u refuzua zëri ynë në Kuvend. Tani është koha që ky ndryshim të vijë me forcën e zërit të qytetarëve shqiptarë. Qoftë e treta e vërteta.

 

Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com