Gjendet makina në Bovillë. Policia në ndjekje të 39-vjeçarit që vrau të riun në Paskuqan
Vijon të jetë ende në arrati 39-vjeçari Sadik Llani, autori i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi. Policia e Tiranës është ende në ndjekje të autorit, teksa përmes verifikimit të kamerave të sigurisë ka arritur të gjurmojë itineratin e tij drejt Liqenit të Bovillës.
Forcat RENEA kanë kryer kontrolle mbrëmjen e djeshme (8 qershor) në rreth 15 objekte por nuk kanë zbuluar gjurmë të 39-vjeçarit. Krahas zonës së Liqenit të Bovillës policia ka kryer kontrolle edhe në zonën malore të Krujës. Kontrollet e RENEA-s do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme (9 qershor).
Ndërkohë Policia ka gjetur makinën e autorit të braktisur pranë Liqenit të Bovillës, por brenda makinës nuk janë gjetur sende të kundërligjshme.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje policia ka marrë në pyetje 8 persona por nuk kanë dhënë detaje për grupin hetimor.
Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të një kalçetoje, ku dyshohet se viktima dhe autori kishin pasur një debat mes tyre më herët dhe Llani, pasi e ndoqi me automjet, nxori armën e zjarrit dhe e qëlloi Baloshin, teksa ky i fundit po ecte në rrugë.
Baloshi u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, por bluzat e bardha thanë se ai mbërriti pa shenja jete te Trauma.
Fraksion.com

