AktualitetTë fundit

Eglant Koçi dyshohet se është ekzekutuar nga shoku i ngushtë, zbardhen detaje të reja

5 ditë nga zhdukja e 34-vjeçarit, Eglent Koçi, Policia e Tiranës ka një përgjigje. I riu dyshohet se është ekzekutuar nga shoku i ngushtë, Armand Shakaj.

Pas denoncimit nga familjarët paraditen e datës 4 qershor, policia u angazhua me vëzhgimin e kamerave të sigurisë, të cilat e sollën nga Sheshi Wilson drejt Bulevardit Zhan D’Ark, ku ai shkoi pranë lokalit të një miku të tij, nga ku nuk doli më.

Nga kontrollet e policisë në terren dhe pamjet e kamerave të sigurisë, policia ka gjetur prova që shtojnë dyshimet se 34-vjeçari është vrarë dhe se shoku i tij ka zhdukur trupin duke e transportuar me një makinë. Gjatë këtij momenti dëshmitar ka qenë edhe Enea Zyferi, i cili punonte kamarier në një bar në pronësi të autorit dhe që ndodhet pranë vendit të ngjarjes, i cili është arrestuar si bashkëpunëtor. Ndërsa për autorin, policia nuk ka asnjë gjurmë dhe e ka shpallur në kërkim.

Aktualisht, blutë po kryejnë kontrolle në rrethinat e Tiranës për gjetjen e trupit të të riut.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat mëson se, për të fshehur gjurmët, Shakaj ka lëvizur motorin e viktimës nga zona ku ndodhi krimi drejt 5 Majit, ku u gjet dy ditë pas krimit.

34-vjeçari rezultonte i punësuar në një mobileri, por policia dyshon se ai ishte i përfshirë në aktivitetin e kriptomonedhave, që është një ndër pistat hetimore mbi të cilat është fokusuar policia.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com