33 mijë të rinj më pak brenda një viti, rritet numri i të moshuarve mbi 85 vjeç
Vendi ka hyrë në një spirale tkurrje dhe plakje të shpejtë të popullsisë, ku çdo vit po shkakton ndryshime të forta.
Balanca demografike po anon me shpejtësi nga moshat shumë të thyera. Të dhënat tregojnë se grup-mosha më e re, ajo nga 0 deri në 4 vjeç, ka pësuar një tkurrje me 2.3%, duke u pakësuar me rreth 2,477 fëmijë më pak vetëm në 2025. Ky trend negativ thellohet edhe më shumë tek moshat e reja dhe ato në prag të hyrjes në tregun e punës.
Në krahun tjetër, procesi i plakjes së popullsisë po ecën me hapa të shpejtë, ku rritja më e madhe po vërehet te shtresat më të moshuara të shoqërisë. Ndërsa pothuajse të gjitha grup-moshat nën 65 vjeç po shënojnë rënie, ato më të thyera po shtohen me ritme të larta. Numri i personave të moshës 70-74 vjeç është rritur me 6.0%, ndërsa grup-mosha 75-79 vjeç ka pësuar një rritje të fortë prej 8.3% vetëm në vitin 2025.
Efekti më i drejtpërdrejtë po ndihet në tregun e punës. Me tkurrjen e fortë të grup-moshave kryesore produktive dhe riprodhuese, sipërmarrjet dhe institucionet do të përballen me një mungesë të akute të krahut të punës, forcës inovatore dhe profesionistëve të rinj. Kjo po detyron shumë sektorë të mbështeten te një forcë pune më të moshuar ose të kërkojnë zgjidhje alternative përmes automatizimit dhe importit të punëtorëve të huaj./Monitor
Fraksin.com

