AktualitetKosovaTë fundit

Zgjedhje të rregullta, Vetëvendosje e Kurtit partia e parë

Sipas rezultateve paraprake nga KQZ në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosja fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme me 42,92% të votave. Zgjedhjet ishin të rregullta, por me pjesëmarrje mjaft të ulët të votuesve.

Qytetarët në Kosovë votuan të dielën (07.06.) në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ, lëvizja Vetëvendosja e kryeministrit në detyrë Albin Kurti doli partia e parë me 42.92 % të votave, (08.06.) një rënie e kësaj partie krahasuar me zgjedhjet e fundit të dhjetorit të vitit 2025, ku kishte mbi 51%. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës PDK, me 21.06 %, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, me 17.61%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, mori 7.18 % të votave.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, mori 6.17 % të votave. Këto rezultate sipas KQZ-së, janë nga mbi 97% të votave të numëruara, pa përfshirë votat e diasporës dhe votat me kusht.

. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke iu drejtuar simpatizantëve të tij në mesnatë, rezultatin prej rreth 43% të partisë së tij, pa përfshirë votat e diasporës, e cilësoi rezultat fitoreje për qeverinë, siç tha Kurti 4. “Kjo përbën konfirmim të një dekade qeverisjeje të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kurti, duke paralajmëruar se do të bashkëpunojë me partitë e tjera për të zgjidhur çështjen e presidentit.

“Javët në vijim do të takojmë, do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë, sepse para së gjithash e mbi të gjitha e kemi interesin publik, vullnetin dhe Republikën sovrane, të cilës i shërbejmë me devotshmëri. Llogaritni në ne jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që bëjmë”, u shpreh Kurti. Simpatizantë të Vetëvendosjes festuan në kryeqytet dhe në disa komuna tjera.

Reagime pas pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje

Nga Partia Demokratike e Kosovës sipas sekretares së përgjithshme të saj, pjesëmarrja e ulët në zgjedhje përbën “zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar”. Sipas saj, “ky nivel i pjesëmarrjes është mesazh politik që duhet të merret seriozisht, veçanërisht nga pushteti”.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, Lumir Abdixhiku, rezultatin e partisë së tij e cilësoi shumë të mirë krahasuar me atë të dhjetorit të vitit 2025, ku kjo parti kishte vetëm 13%. Lidhur me bashkëpunimin eventual me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve të reja, ai tha se emri i Vjosa Osmanit për presidente do të jetë pikënisja e çdo bisedimi për presidentin. Kryetari i ri i Aleancës, Ardian Gjini, nga ana e tij, rezultatin e cilësoi si “nisje të jashtëzakonshme” për subjektin që ai përfaqëson.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit, kishin të drejtë vote mbi dy milion qytetarë. Këto zgjedhje ishin të tretat me radhë brenda një viti e gjysmë me synimin për ta zhbllokuar krizën institucionale. Sipas analistëve, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk garanton stabilitet institucional, nëse, partitë politike nuk arrijnë ndonjë marrëveshje paraprake për çështjen e Presidentit./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com