AktualitetKosovaTë fundit

“Opozita nuk shkon në punë”, Kurti i gatshëm për bashkëpunim: Kosovës i mungon Kuvendi!

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli mbrëmë fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me partitë tjera që deri tani ishin në opozitë.

Në fjalën e mbajtur para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” , Kurti tha se do të angazhohen për të zgjidhur çështjen e presidentit.

Kurti tha se Kosovës i mungon funksionalizimi i Kuvendit, duke kritikuar partitë opozitare për bllokimin e procesit.

Ai u shpreh optimist se legjislatura e 11-të do të konstituohet pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, ndërsa paralajmëroi komunikim dhe bashkëpunim me të gjitha subjektet politike në javët e ardhshme.

Me Vetëvendosjen, Kurti tha se qytetarët kanë garancinë e mirëqeverisjes e shteti është në duar të sigurta.

“Republikës të Kosovës, i mungon Kuvendi. Fatkeqësisht blloku opozitar nuk shkon në punë. Ne tjerët të gjithë shkojmë në  punë nesër në mëngjes, në 8:00. Dhe, ne jemi të interesuar që edhe blloku opozitar të shkojë sa më shpejtë në punë. Andaj, urojmë që legjislatura e 11-të t’ia fillojë dhe kjo varet para së gjithash nga certifikimi i rezultateve. Natyrisht, që në javët në vijim, do të komunikojmë, do t’i takojmë e do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politikë të Republikës të Kosovës, sepse ne e kemi para së gjithash e mbi të gjitha interesin publik, vullnetin e përgjithshëm dhe Republikën sovrane e të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me devotshmëri.  Pra, llogaritni në neve, jo vetëm në punën që bëjmë por edhe në bashkëpunimin që do të bëjmë”, tha Kurti.

Kurti tha se nuk ka pasur vështirësi që si qeveri nuk e kanë tejkaluar, edhe atëherë kur është dukur e pamundur.

“Për më pak se 7 vite kjo është fitorja e pestë e LVV në zgjedhje parlamentare. Kemi fituar në vitin 2019, 2021, dy herë në 2025 dhe fituam përsëri në vitin 2026. Ky është edhe një konfirmim i radhës, që së paku kjo dekadë është e qeverisjes së LVV-së. Edhe në këto zgjedhjet e pesta për më pak se shtatë vite u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë. Ne i bëjmë bashkë sigurinë e shtetit e kufijve me mirëqenien e shtetit e qytetarëve. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar edhe atëherë kur është dukur e pamundur ne e kemi realizuar”. tha Kurti. /KosovaPress

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com