AktualitetBota+Të fundit

Evropianët dhe Ukraina i bëjnë thirrje Putinit për negociata

Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Ukraina duan të sjellin lëvizje në përpjekjet e ngecura për t’i dhënë fund luftës. Pas një takimi, ato i bënë thirrje Rusisë për negociata dhe një armëpushim.

Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Ukraina i kanë bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin për armëpushim të menjëhershëm dhe për negociata mbi përfundimin e luftës. Pikënisja për këtë duhet të jetë vija aktuale e frontit në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara si dhe Evropa duhet të përfshihen “aktivisht” në bisedime, thuhet në një deklaratë të përbashkët që kancelari Friedrich Merz, presidenti Emmanuel Macron, kryeministri Keir Starmer dhe presidenti Volodymyr Zelensky publikuan pas takimit të tyre në Londër.

Në të, ata rendisin pesë kushte për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”. Kërkohet ndalimi i luftimeve: Putini duhet të pranojë një “armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë”. Vija aktuale e frontit do të shërbejë si pikënisje për negociatat – por Ukraina dhe evropianët njëkohësisht këmbëngulin se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Rreth një e pesta e territorit shtetëror të Ukrainës është aktualisht nën kontrollin rus. Gjithashtu, e drejta e Ukrainës për të zgjedhur vetë masat e saj të sigurisë dhe aleancat duhet të respektohet “pa kufizime”.

Großbritannien London 2026 | Starmer, Selenskyj, Macron & Merz in der Downing Street
Kancelari Friedrich Merz, presidenti Emmanuel Macron, kryeministri Keir Starmer dhe presidenti Volodymyr Zelensky publikuan një deklaratë pas takimit të tyre në LondërFotografi: Tim Rooke/SIPA/picture alliance

Kërkohen garanci sigurie

Më tej, Gjermania, Franca, Britania e Madhe kërkojnë garanci sigurie “të forta dhe juridikisht të detyrueshme” për Ukrainën sapo të hyjë në fuqi një armëpushim. Kjo përfshin vendosjen e një force shumëkombëshe. Po ashtu, asetet ruse do të mbeten të ngrira për aq kohë sa Rusia të mos e përfundojë luftën dhe të mos e kompensojë Ukrainën për dëmet e shkaktuara. Në Bashkimin Evropian janë të bllokuara rreth 210 miliardë euro të bankës qendrore ruse. Interesat e sigurisë së Evropës duhet të mbrohen në çdo marrëveshje, thuhet më tej në deklaratë. Për rezultatet e negociatave që prekin BE-në dhe NATO-n duhet të pajtohen shtetet anëtare.

Evropianët i siguruan gjithashtu presidentit Zelensky mbështetje të mëtejshme ushtarake. Për këtë pritet të diskutohet në samitet e G7 dhe të NATO-s që do të mbahen në qershor dhe korrik, si dhe në takimin e ardhshëm të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, ku janë bashkuar aleatët e Ukrainës./dw

 

Farksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com