“Thesar natyror i Shqipërisë”, Liqeni i Shkodrës në UNESCO
Një tjetër arritje e rëndësishme për Shqipërinë dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë është shënuar ditën e sotme.
Liqeni i Shkodrës është shpallur Rezervë Ndërkufitare e Biosferës nga UNESCO, duke u përfshirë në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës.
Agjencia për Media dhe Informim (MIA) bën me dije se ky vlerësim ndërkombëtar njeh vlerat e jashtëzakonshme natyrore të një prej ekosistemeve më të rëndësishme në Ballkan dhe forcon përkushtimin për mbrojtjen e biodiversitetit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëjetesën harmonike mes njeriut dhe natyrës.
“Një thesar natyror i Shqipërisë, tashmë i vlerësuar si pasuri me rëndësi globale. Një vend ku natyra, biodiversiteti dhe zhvillimi i qëndrueshëm ecin krah për krah”, thuhet në njoftimin e MIA-s.
Njëherësh, edhe ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj e cilësoi këtë një lajm të madh për Shqipërinë dhe trashëgiminë tonë natyrore.
“Liqeni i Shkodrës është shpallur Rezervë Ndërkufitare e Biosferës nga UNESCO, duke u bërë pjesë e Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës. Ky vlerësim njeh rëndësinë globale të një prej ekosistemeve më të pasura në Ballkan dhe konfirmon angazhimin për ruajtjen e natyrës, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e biodiversitetit”, tha Jaupaj.
Fraksion.com

