AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

Von der Leyen: Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë punë të mirë në rrugën drejt anëtarësimit në BE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë punë shumë të mirë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në prag të fillimit të samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.

“Edhe Mali i Zi dhe Shqipëria po bëjnë punë shumë të mirë dhe janë afër qëllimit”, tha Von der Leyen.

Ajo iu referua procesit të zgjerimit të BE-së, për të cilin do të diskutohet me liderët e Ballkanit Perëndimor në samit, duke thënë se “BE-ja po i hap dyert, kandidatët duhet të përmbushin reformat. Me reformat vijnë investimet dhe kjo është pjesa e parë e diskutimeve të sotme”.

“Procesi i zgjerimit duhet të jetë më i shpejtë dhe kredibil”, tha zyrtarja evropiane duke folur për hapat e ardhshëm të Bashkimit Evropian lidhur me vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor. Ajo shtoi se ky proces në vendet kandidate duhet të jetë “më i dukshëm” në mënyrë që “t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre përfitimet e zgjerimit”, të cilat nënkuptojnë “më shumë siguri dhe përparim”.

Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor mbahet më 4 dhe 5 qershor në Tivat të Malit të Zi nën sloganin “Prosperiteti i përbashkët dhe stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” ndërsa tema kryesore e samitit do të jetë zgjerimi i BE-së.

Mbledhja drejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, i cili këtë javë zhvilloi një turne në vendet e rajonit. Pritës i samitit është presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ndërsa do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Siç njofton Komisioni Evropian, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së do të diskutojnë për zgjerimin dhe Planin e Rritjes. Pritet që BE-ja të rikonfirmojë përkushtimin e plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor.

Samiti është pjesë e zbatimit të agjendës së Këshillit Evropian 2024-2029. Samitet BE–Ballkani Perëndimor mbahen që nga viti 2018, ndërsa i fundit u mbajt në Bruksel në dhjetor 2025.

Mali i Zi ka angazhuar rreth 1.500 policë që kujdesen për sigurinë e pjesëmarrësve të samitit.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com