AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: PD mbështet protestën e Koalicionit për Familjen, terapia për ndryshimin e gjinisë tek fëmijët, akt kriminal

Partia Demokratike pritet të anulojë foltoren që zhvillon çdo të hënë përpara kryeministrisë. Në të njëjtin vend pritet që të vijnë në orën 19:00 edhe protestuesit e Zvërnecit, të cilët kanë paralajmëruar një protestë.

“Partia Demokratike mbështet protestën e Koalicionit për Familjen, duke theksuar se terapia për ndryshimin e gjinisë tek fëmijët, është një akt kriminal”, deklaroi kryedemokrati Sali Berisha, ndërsa shtoi se Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, jashtë çdo lloj kriteri, qoftë biologjik, sociologjik, apo dhe përgjegjësisë, vendosin t’i  rrëmbejnë prindërve fëmijën nga gjiri i tyre.

Pyetje nga gazetarët:

Klodiana Lala: Zoti Berisha, cila është përgjigja juaj ndaj zërave të cilët thonë publikisht, forca të reja politike, aktivistë apo eksponentë të tjerë, që Partia Demokratike është e kapur nga projekti i Zvërnecit dhe për këtë arsye nuk flet.

Sali Berisha: Partia Demokratike është partia që proteston sot më fuqishëm se kurrë. Partia Demokratike shpreh këtu, ato që kam që thashë: mbështet absolutisht investimet e huaja, garanton pronën dhe pronarin me një ligj që ndoshta nuk ekziston diku tjetër, por e bëmë në atë kohë, ai ligj është aty dhe ai ligj është shumë i drejtë.

Klodiana Lala: Po në lidhje me hetimin e SPAK?

Sali Berisha: Më fal një minutë. Pra, më thuaj mua pak, çfarë mund të bëjë një shtet më shumë, qoftë për pronarin, qoftë për investitorin? Besoj se, nuk është shteti që thotë, ‘Epo unë nuk i di këto, nuk i di ato’. Në qoftë se ke firmos, je kryeministër dhe ke firmos, atëherë ti mban përgjegjësi për të gjithë pasojat e firmës tënde. Kjo është e vërteta. Dhe, nuk besoj se ka interes më të mbrapshtë për shqiptarët sesa përpjekja për të përzënë investitorë të huaj. Këtë ta kemi shumë të qartë.

Klodiana Lala: Kush po i bën këto përpjekje zoti Berisha?

Sali Berisha: Tani unë po them. Shteti ka një ligj. Shteti aty ku ka firmos, duhet t’i dalë zot firmës së tij. Kjo është e tëra. Nuk është çështje e pronarit me investitorin, jo. Është çështje e shtetit me firmën e tij. Prandaj dhe ju duhet t’ia kërkoni shtetit, nuk duhet të trembeni nga shteti. Shteti ka ligje dhe duhet t’i dalë zot ligjeve. Ky është koncepti im për këtë punë.

Klodiana Lala: Zoti Berisha, sot në orën 19:00 keni lajmëruar çdo të hënë foltore. Në të njëjtën kohë edhe ka një protestë për Zvërnecin. Do ta zhvilloni në foltore, apo do jeni në të njëjtin vend?

Sali Berisha: Do të diskutohet, sot ka disa aktivitete tani, kemi disa probleme sot. Sot është dita e fëmijëve, por Koalicioni për Familjen ka vendosur, më thonë se edhe ai do bëjë një protestë. Dhe shanset janë që ne të mbështesim sot protestën e koalicionit për familjen. Sepse, është 1 qershori. Ju e patë që, po kjo do njoftohet. Ju e patë domethënë, se në ç’mënyrë më kriminale, perverse, Edi Rama me Salën, me këtë ministren, vendosën që të përdorin terapinë për ndryshimin e gjinisë tek 14-vjeçarët. Jashtë çdo lloj, jashtë çdo lloj kriteri, qoftë biologjik, qoftë sociologjik, qoftë të përgjegjësisë. Kjo është t’ia rrëmbesh prindërve fëmijën nga gjiri i tyre.

Dhe ky është një akt i shëmtuar, antiligjor, nuk jemi kundër, më fal, ka një moshë të caktuar në të cilën fëmija, se nuk jemi t’i injorojmë, diskriminojmë, jo. Por jemi, mosha më ideale është mosha e përgjegjësisë, 18-22 vjeçare. Çdo veprim para kësaj moshe është një atentat në identitetin njerëzor. Dhe unë shpreh solidaritetin tim me aleancën për familjen.

Klodiana Lala: Nuk më thatë përgjigje zoti Berisha, në lidhje me hetimin e SPAK për tjetërsimin e pronave të dyshuara në Zvërnec. A e inkurajoni ju këtë hetim të prokurorisë së posaçme?

Sali Berisha: Inkurajoj çdo hetim. Inkurajoj çdo hetim. Pa asnjë diskutim, veçse në rastin konkret, qeveria që firmos, qeveria duhet ta ketë të qartë se një ligj e detyron atë, një ligj e detyron atë që për fill të respektojë çdo pretendim të vërtetë lidhur me pronësinë, mbasi është shteti që i ka dhënë investitorit dokumentet për të bërë projektin.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com