Bllokohet puna në aeroportin e Vlorës
Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i prezantuar si një nga investimet strategjike më të rëndësishme për jugun e vendit dhe turizmin shqiptar, po përballet me probleme të shumta, nga shtyrjet e vazhdueshme të afateve deri tek përplasjet mes kompanive që po zbatojnë punimet.
Gazetarja e Klan News Greta Haskaj raporton se situata është tensionuar edhe më tej ditën e sotme, pas konfliktit të hapur mes firmave të përfshira në ndërtimin e aeroportit.
Sipas saj, punonjësit e kompanisë Mapko dhe nënkontraktorëve të saj janë telefonuar mbrëmjen e kaluar dhe janë njoftuar që të mos paraqiteshin në punë gjatë ditës së sotme.
Megjithatë, për shkak se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar apo shkresë formale, punonjësit janë paraqitur normalisht në kantier, por nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e aeroportit.
Bëhet fjalë për mbi 200 punonjës që operojnë në disa sektorë të rëndësishëm të projektit, përfshirë punimet brenda terminalit, ambientet e jashtme dhe shërbimin zjarrfikës.
Sipas tyre, është kompania VIA, pjesë e konsorciumit të aeroportit, ajo që ka urdhëruar ndalimin e hyrjes së punonjësve në kantier.
Problemet e sotme i shtohen historikut të gjatë të vonesave që kanë shoqëruar projektin e aeroportit të Vlorës që prej shpalljes së tij.
Kontrata për ndërtimin e aeroportit u nënshkrua në prill të vitit 2021, ndërsa nisja zyrtare e punimeve u bë në nëntor të po atij viti.
Në prezantimet zyrtare të qeverisë, aeroporti ishte parashikuar të bëhej funksional brenda vitit 2024. Megjithatë, afatet janë shtyrë disa herë për shkak të problematikave teknike, procedurale dhe tashmë edhe konflikteve mes kompanive zbatuese.
Haskaj raporton se 98% e sipërfaqes së Terminalit ku po punohet, është e përfunduar. Ndërsa sa i takon pjesës tjetër që përfshin pistën ku do të kryhen fluturimet e avionëve, punimet mbeten ende në hapat e parë.
E sot, ndërsa kantieri përballet me tensione dhe përplasje të brendshme, mbetet ende e paqartë se kur aeroporti do të përfundojë realisht dhe nëse afatet e reja do të mund të respektohen.
Fraksion.com

