Tajvani është i shqetësuar për të qenë “në menu” në takimin Trump-Xi

Ndërsa presidenti Donald Trump takohet me Xi Jinping në Pekin shumë në Tajvan janë të shqetësuar se SHBA-të do të bëjnë kompromise me Kinën mbi statusin e ishullit të vetëqeverisur dhe demokratik në këmbim të interesave të biznesit.
Në prill, Zëvendës Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Francois Wu, i tha Bloomberg: “Ajo që kemi më shumë frikë është ta vendosim Tajvanin në menunë e bisedimeve midis Xi Jinping dhe Presidentit Trump.”
Nuk ka pasur asnjë indikacion se Trump do të ndryshojë qëndrimin e SHBA-së ndaj Tajvanit. Por nëse SHBA-të do të donin, mund të ndryshonin gjuhën e tyre deklarative në “kundërshtim” në vend që të “mosmbështetnin” pavarësinë e Tajvanit, shkroi Patricia M Kim e Institutit Brookings në Uashington.
Ndryshimi delikat do të ishte i rëndësishëm pasi do të “ndikonte në mënyrën se si Pekini llogarit rrezikun”.
Megjithatë, javën e kaluar Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se nuk duhet të ketë “ngjarje destabilizuese” në lidhje me Tajvanin në “interes të ndërsjellë” të të dy vendeve. SHBA-të gjithashtu kanë përsëritur angazhimet e tyre ndaj Tajvanit në ditët e fundit.
Çfarë diskutuan Trump dhe Xi?
Dy udhëheqësit biseduan për dy orë, shumë më gjatë se sa pritej.
Presidenti Xi e paralajmëroi Donald Trump se çështja e Tajvanit, të cilin Pekini e pretendon si pjesë të territorit të tij, mund t’i çojë të dy vendet në konflikt. Ai po shtyn për një vonesë ose një ulje të shitjeve të armëve amerikane në ishullin e vetëqeverisur, të cilin Pekini e ka pretenduar prej kohësh.
Nga ana tjetër, Donald Trump ka sjellë me vete drejtorët ekzekutivë të 30 bizneseve të mëdha të teknologjisë në Pekin me shpresën se Kina do t’i hapë dyert e saj për më shumë firma amerikane.
Pas përfundimit të bisedimeve, Trump i dha lëvdata të shumta mikpritësit të tij ndërsa vizitoi Tempullin e Qiellit të shekullit të 15-të, ku perandorët kinezë dikur luteshin për një korrje të madhe.
Trump e quajti Xi një udhëheqës të madh, i përshkroi bisedimet si “të shkëlqyera” dhe u tha gazetarëve se Kina ishte e bukur.
Cili është problemi në lidhje me Tajvanin?
Kina e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur që përfundimisht do të kalojë nën kontrollin e saj dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta arritur këtë.
Në vitet e fundit, Pekini ka shtuar stërvitjet ushtarake me armë zjarri, duke përfshirë bllokada të simuluara të porteve rreth ishullit të vetëqeverisur, duke shqetësuar autoritetet tajvaneze.
Uashingtoni i përmbahet politikës “Një Kinë”, e cila e njeh Pekinin si qeverinë e vetme kineze, por mban lidhje jozyrtare me Taipein. SHBA-të janë gjithashtu të detyruara me ligj t’i ofrojnë Tajvanit mjetet për të mbrojtur veten.
Vitin e kaluar, administrata e Trump njoftoi shitjen e një pakete armësh prej 11 miliardë dollarësh në Taipei, gjë që e zemëroi Pekinin. Raportet thonë se Trump ende nuk e ka miratuar zyrtarisht shitjen dhe se kjo do të jetë në tryezë gjatë bisedimeve të tij me Xi.
Fraksion.com
