Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth 2 orë. Prokuroria ka paraqitur para gjykatës provat të cilat implikojnë kirurgun dhe provojnë dyshimin e arsyeshëm për konsumimin e veprës penale.
Prokurori i ka kërkuar gjykatës që për shkak të moshës së të akuzuarit t’i caktohet masa e sigurisë arrest në shtëpi dhe të vlerësojë si të ligjshëm arrestin në flagrancë, kërkesa që janë pranuar nga gjykata. Gjatë seancës mjeku nën akuzë për ngacmim seksual ka mbajtur qëndrim mohues ashtu si edhe gjatë marrjes në pyetje.
Vetëm një ditë më parë, 13 maj, kirurgu la ambientet e paraburgimit dhe u dërgua në Spitalin e Korçës për shkak të problemeve kardiake.
Avokatja e 21-vjeçares, u shpreh të mërkurën për mediat se ky nuk është denoncimi i parë ndaj kirurgut, madje theksoi se ka pasur rast dhe para 33 viteve.
Kujtojmë se kallëzimi i së resë u regjistrua këtë të hënë, 11 maj. Sipas denoncimit, e reja ishte paraqitur në urgjencë për dhimbje barku dhe të vjella, dhe pas kontrolleve mjekësore ishte vendosur që të nënshtrohej një ndërhyrjeje për apandesit. Gjatë procedurës, mjeku dyshohet ta ketë ngacmuar seksualisht, duke e prekur në pjesë intime nën pretendimin se po kryente kontroll mjekësor.
Kirurgu rezulton i dënuar në vitin 2014 nga Gjykata e Korçës me 2.5 vite burg për “korrupsion pasiv” dhe iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit për 6 muaj.