AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Mbështetja për dyfishimin e SME-ve, garanci për vende të reja pune

Rama: Mbështetja për dyfishimin e SME-ve, garanci për vende të reja pune -  Politikë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në firmosjen e marrëveshjes për linjën e re të financimit ndërmjet Bankës Europiane të Investimeve dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, për të mbështetur bizneset e vogla e të mesme shqiptare në inovacion, digjitalizim, teknologji dhe investime të gjelbra.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë gjithçka është e mundur për të mbështetur të gjithë ata njerëz që i besojnë sipërmarrjes së lirë dhe ndërmarrjeve të tyre të vogla e të mesme.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë partnerët tanë më të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës për të mbështetur familjet dhe sigurisht për të krijuar hapësirë për të rinjtë që të rriten”, u shpreh Rama.

Duke folur për marrëveshjen e firmosur sot, Rama theksoi se ajo synon të mbështesë
programin e madh për dyfishimin e sipërmarrjeve të vogla e të mesme.

“Ajo çfarë e bën të rëndësishme këtë hyrje të Bankës Evropiane të investimeve së bashku me bankën Intesa Sanpaolo nuk është thjesht vlera e parave. Është mundësia për të bërë maksimumin për të përfituar prej tyre përvojën që kanë krijuar në kaq shumë vite në mbështetje të shteteve anëtare”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se Banka Shqiptare e Zhvillimit që sapo është krijuar, është një instrument i ri që do të shërbejë si urë midis qeverisë dhe Bankës Europiane të Investimeve.

“Po pres me padurim që të forcojmë bashkëpunimin me Bankën Evropiane të Investimeve. Së pari për të marrë sa më shumë të jetë e mundur nga dija juaj e jashtëzakonshme dhe së dyti sigurisht për t’ju bërë të investoni më shumë në Shqipëri”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com