AktualitetPolitikëTë fundit

Hoxha: Rrëmbimi i fëmijëve ukrainas, një nga mizoritë e agresionit rus

Hoxha në Bruksel: Rrëmbimi i fëmijëve ukrainas, mizoria më e rëndë e  agresionit rus - RTSH

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të Koalicionit për Rikthimin e Fëmijëve të Ukrainës, bashkorganizuar nga Bashkimi Evropian, Ukraina dhe Kanadaja.

Në fjalën e tij, Hoxha vlerësoi se Shqipëria ka qëndruar fuqishëm përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit brutal dhe të paprovokuar të Rusisë.

“Edhe një herë rikonfirmuam qëndrimin tonë të vendosur dhe parimor, ashtu siç Shqipëria veproi në mënyrë të vazhdueshme gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në mbështetje të fëmijëve të Ukrainës, të rrëmbyer, deportuar në mënyrë të paligjshme dhe të privuar nga fëmijëria, identiteti dhe e ardhmja e tyre si pasojë e këtij agresioni”, tha Hoxha.

Sipas tij, rrëmbimi dhe deportimi i paligjshëm i fëmijëve ukrainas përbën një nga shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare dhe një nga mizoritë më të neveritshme të kësaj lufte.

Ndaj Hoxha theksoi se llogaridhënia dhe drejtësia duhet të mbeten në thelb të përgjigjes sonë kolektive.

“Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë çdo përpjekje që synon garantimin e kthimit të sigurt, të menjëhershëm dhe dinjitoz të çdo fëmije ukrainas pranë familjeve të tyre dhe në atdheun e tyre. Asnjë fëmijë nuk duhet të bëhet kurrë viktimë e luftës, zhvendosjes së detyruar apo ndarjes nga njerëzit e tyre të dashur”, shtoi ministri.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com