AktualitetPolitikëTë fundit

Peleshi: Shqipëria mbetet e angazhuar për reformat transformuese dhe anëtarësim në BE deri në 2030

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në një takim zyrtar në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Parlamentit të Suedisë (Riksdag), në kuadër të forcimit të marrëdhënieve parlamentare dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë takimit, Peleshi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Shqipërisë dhe Suedisë, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për rrugën europiane të Shqipërisë dhe nënvizoi rëndësinë e diplomacisë parlamentare në forcimin e bashkëpunimit dypalësh.

Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit dhe Riksdag mbështet marrëdhëniet dypalëshe dhe avancimin e anëtarësimit në BE.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe konstante të Suedisë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se hapja e grup-kapitujve të negociatave përfaqëson një fazë të re dhe konkrete në marrëdhëniet me Bashkimin Europian.

Ai rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur reformat dhe për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në BE deri në vitin 2030.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe sigurisë rajonale si edhe mes dy vendeve tona në kuadër të misioneve ndërkombëtare dhe forcimit të sigurisë euroatlantike.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi rolin e Suedisë si një prej partnerëve më të rëndësishëm zhvillimorë të Shqipërisë, veçanërisht në mbështetjen për reformën në drejtësi, qeverisjen e mirë dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Nga ana e delegacionit suedez u vlerësua progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian, angazhimi në politikën e jashtme të përbashkët të BE-së dhe roli konstruktiv i vendit tonë në rajon. Suedia vlerëson arritjet e dukshme të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, si një proces i bazuar në meritën.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com