AktualitetPolitikëTë fundit

“Diella nuk fle gjumë”, Rama: Prokurimet publike me inteligjencë artificiale, kemi marrë ‘dritën jeshile’ nga Banka Botërore

Kryeministri Edi Rama tha se po punohet për ngritjen e një sistemi elektronik për prokurimet publike me ministren e Inteligjencës Artificiale Diella. Rama tha se nëpërmjet inteligjencës artificiale, të gjitha procedurat do të zhvillohen online dhe i gjithë procesi do të jetë transparent dhe i gjurmueshëm. Ndër të tjera tha se për këtë proces, ka dhënë dritën jeshile dhe Banka Botërore.

“Rritja e ndjeshme e numrit të kompanive fituese, jo në vlera absolute, por në raport me numrin e procedurave. Ka shumë më tepër akses në kontratat publike, gjë që, si kjo pasqyrë, kundërshton narrativën e jetës së përditshme mediatike. Siç mund ta keni parë, është një narrativë e imponuar nga një shumicë e qëndrueshme burimesh që janë haptazi kundër qeverisë. Një tregues shumë pozitiv për faktin se jetojmë në një atmosferë demokratike dhe një anomali në raportet e BE-së, por një anomali e bukur që i hedh poshtë të gjitha pretendimet për media të kapura e lloj-lloj broçkullash.

Mund të jetë krijuar një opinion sikur Diella bën punën që ka bërë më parë dhe fle. Tani jemi në një fazë të re të procesit, pasi janë hartuar gjatë kësaj periudhe 450 faqe specifikime teknike të detajuara, për të cilat kanë punuar ekspertë vendas, dhe këto faqe janë vënë më pas në shqyrtimin e Bankës Botërore, e cila ka dhënë pak ditë më parë dritën jeshile pa kundërshtime. Tani jemi gati të kalojmë në fazën e ndërtimit të një sistemi të prokurimit elektronik me AI.

Ekspertët tanë nuk kanë punuar në një ishull të izoluar dhe kanë ndërvepruar me ekspertë në një sërë vendesh. Është bërë edhe një ëorkshop me 16 vende që kanë elementë të AI në proceset e prokurimit, por projekti ynë është i pari i këtij lloji, sepse synon që të gjithë elementët të vendosen në një zinxhir dhe të mundësojë prokurimin me AI në një masë shumë të madhe, si edhe të bëjë të mundur që asnjë biznes të mos detyrohet të mbledhë letra, asnjë nëpunës të mos ketë në dorë të luajë me letrat e biznesit, por të gjitha të dhënat të mblidhen nga Diella përmes mbi 40 regjistrave publikë.

Më pas, të jenë në dorën e biznesit për t’i aktivizuar vetëm me një klik. Një proces që do të shkojë nga studimi i tregut te dorëzimi i ofertave, monitorimi i kontratave dhe çdo ndërveprim do të jetë në ekran, transparent dhe i gjurmueshëm. Diella do ta bëjë të gjithë këtë volum me algoritmet e AI-së në mënyrë të paanshme. Do të jemi tërësisht në një fazë tjetër dhe brenda këtij mandati.

Diella do të shënojë kapërcimin nga një epokë në tjetrën të të bërit biznes. Është një përmbysje totale e një sistemi dhe një reflektim i Shqipërisë në Shqipëri i gjithë asaj që teknologjia u jep vendeve, dhe mbi të gjitha vendeve në zhvillim si i yni”, tha Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com