AktualitetKosovaTë fundit

“Osmani përballë Kurtit”, LDK-ja e zyrtarizon si bartëse të listës, teksa partitë finalizojnë ofertat për zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka zyrtarizuar marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me ish-presidenten Vjosa Osmani, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se LDK-ja e ka mbështetur propozimin e tij që Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidatja për presidente. Vetë Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër.

Abdixhiku tha se vendimi është marrë unanimisht në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke shtuar se në listën zgjedhore të partisë do të përfshihen edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani.

Në ditët e fundit, Osmani ka konfirmuar se pjesë e rrugëtimit të saj politik do të jenë figura si: Fahrie Hoti, aktiviste e njohur kryesisht për përfaqësimin e grave të Krushës së Madhe pas luftës së Kosovës; Jeta Statovci, ish-deputete e Guxo-s dhe ndër më të votuarat në listën e LVV-së në zgjedhjet e fundit; Albena Reshitaj, ish-ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ish-deputete e AAK-së.

Para largimit, Osmani kishte qenë një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe, në karrierën e saj politike, ka ushtruar funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të presidentes dhe deputetes.

Raportet e saj me strukturat e atëhershme të LDK-së u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa më pas formoi subjektin e saj politik, Lista Guxo.

Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi mandatin deri në përfundim, por mosmbështetja për një mandat të dytë nga LVV-ja prishi raportet mes tyre.

Analisti Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” e ka cilësuar afrimin Osmani-LDK si “risinë kryesore” të këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar se efekti elektoral i saj mund ta forcojë dukshëm listën e LDK-së.

Tri ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, partitë politike në Kosovë kanë intensifikuar negociatat dhe finalizimin e ofertave zgjedhore.

Kështu, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të mbajtur gjithashtu të shtunën, partia në pushtet zyrtarizoi edhe një herë unanimisht Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.

Kryeministri në detyrë , Kurti, synon një mandat të ri pas fitores së LVV-së në dy palë zgjedhjet e vitit 2025, fillimisht në shkurt dhe më pas në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.

Në të fundit, partia e tij mori mbi 51 për qind të votave dhe Kurti doli sërish si më i votuar. Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se, në zgjedhjet e 7 qershorit, synon të fitojë 60 për qind të votave.

LVV-ja tashmë ka konfirmuar edhe vazhdimin e koalicionit me Guxo-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.

Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë oferta për zgjerimin e listës së saj zgjedhore me parti të tjera që vendosën të mos garojnë të vetme.

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) kanë shprehur gatishmëri për t’u përfshirë në listën e PDK-së.

Në një letër drejtuar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Limaj ka shprehur gatishmërinë për “bashkëpunim dhe bashkim politik” në funksion të krijimit të një alternative të përbashkët opozitare.

PDK-ja deri tash nuk ka dalë me një qëndrim publik për ofertën e Nismës.

Limaj gjithashtu kishte qenë ndër figurat më të votuara të PDK-së në të kaluarën, para ndarjes së tij nga kjo parti dhe krijimit të NISMA-s.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 22 subjekte politike dhe tri koalicione janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga garimi të vetme ose në koalicion.

Partitë politike pjesëmarrje në zgjedhje

1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.

Koalicionit: 1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT); (2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe 3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor, pasi Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese. Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve në Kosovë, pas atyre të shkurtit dhe dhjetorit 2025./REL

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com