U nda nga jeta në moshën 89-vjeçare: Homazhe për ish-kreun e Kuvendit, politika nderon Servet Pëllumbin
Sot mbahen homazhe në nder të Servet Pëllumbit. Homazhet nisën në orën 09:30 dhe në orën 12:00 mbahen homazhet zyrtare.
Në homazhe kanë marrë pjesë politikanë, figura të njohura, të cilët kanë vlerësuar shembullin dhe figurën e Pëllumbit në politikën shqiptare.
Arkmorti mbërriti në sheshin Skënderbej, në orën 09:00 dhe u vendos në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Ndërsa në orën 12:30 do të mbahet ceremonia e përcjelljes drejt banesës së fundit.
Servet Pëllumbi ka lindur në Korçë dhe pas viteve 90, ai ka kandiduar në këtë zonë elektorale.
Pëllumbi u diplomua për studimet e larta në Universitetin e Petersburgut me titullin doktor i shkencave në Letërsi.
Gjithashtu ai është autor i dhjetëra librave dhe studimeve në filozofi, politikë dhe demokraci.
Nga viti 1960 – 1963, ai punoi si pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ushtroi këtë profesion deri më 1977.
Që nga ky vit, politikani është zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues së Partisë së Punës, teksa për gati tre vite ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës.
Ndryshimet demokratike në vitin 1990, e pozicionuan Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, post që e mbajti deri në vitin 1996.
Pëllumbi është një nga themeluesit e Partisë Socialiste dhe ish-kryetar i Kuvendit. Ai është konsideruar një nga figurat më me integritet që pas viteve ’90.
Ai ka udhëhequr fushatën e socialistëve, për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.
Njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare.
Fraksion.com

