Berisha nga Kruja: Të frymëzuar nga Skënderbeu, të vazhdojmë betejën për çlirimin e vendit
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për vijimin e “betejës për çlirimin e vendit”, duke e lidhur mesazhin e tij me figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se nderimi ndaj Skënderbeut është një detyrim për çdo shqiptar, ndërsa amaneti i tij, sipas kreut të PD-së, përmblidhet në një mesazh të vetëm: “kurrë mos u dorëzo”.
Ai akuzoi qeverinë se ka vendosur një sistem “shfrytëzimi kolonial”, duke vjedhur pasuritë dhe fondet publike, si dhe duke larguar vendin nga rruga drejt Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, Berisha e cilësoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për situatën aktuale, duke e krahasuar negativisht edhe me figura historike.
“Ndaj dhe të frymëzuar nga prijësi ynë i përjetshëm, të vazhdojmë këtë betejë gjer në çlirimin e plotë të Shqipërisë”, u shpreh ai.
Deklarata e Berishës vjen në kuadër të aktivitetit përkujtimor “Zanafilla e Kombit”, që do të zhvillohet në Krujë me rastin e datëlindjes së Skënderbeut, ku pritet të marrë pjesë edhe vetë kreu i opozitës.
“Prandaj dhe nderimi i Skënderbeut për çdo shqiptar të vërtetë është detyrim.
Ka edhe detyrime dhe përgjegjësi.
Miq, po ta përmbledhim me dy fjalë amanetin e prijësit tonë të pavdekshëm, ai është ky për shqiptarin: kurrë mos u dorëzo!
Ky është frymëzimi i përjetshëm për të gjithë ata që i thonë vetes shqiptar.
Ndaj dhe të vazhdojmë ne këtë betejë kundër këtij pushtuesi të egër që ka vendosur mbi shqiptarët një sistem shfrytëzimi kolonial duke vjedhur pasuritë e tyre, duke vjedhur fondet e tyre, duke poshtëruar gjysmën e kombit.
T’i japim përgjigjen që meriton.
Çfarë ishte Skënderbeu?
Mbrojtësi i qytetërimit perëndimor.
Po të lexoni raportin e djeshëm në Parlamentin Europian, Ballabani duket lule në krahasim me Edi Ramën me atë që i ka bërë Shqipërisë, me largimin që po i bën nga BE.
E gjitha kjo për vjedhjet që ka bërë.
Ato që keni dëgjuar për Lubinë, ato janë të gjitha të tijat në radhë të parë.
Ndaj dhe të frymëzuar nga prijësi ynë i përjetshëm, të vazhdojmë këtë betejë gjer në çlirimin e plotë, gjer në shpëtimin e plotë të Shqipërisë, gjersa të bëjmë qytetarët shqiptarë të liri ashtu si prijësi i tyre i përjetshëm i tyre, Skënderbeu.
Lavdi Skënderbeut, veprës së pavdekshme të tij.
Lavdi krutanëve dhe krutaneve që shkruan faqet më të ndritura të historisë kombëtare nën udhëheqjen e tij dhe që vazhdojnë të qëndrojnë në krye të përpjekjeve të opozitës për liri, për dinjitet, për votën e lirë, për të ardhmen e shqiptarëve në Europë.”
Fraksion.com

