“Ka trafikikuar 240 kg kokainë”, arrestohet në Brazil Ervin Mata, Policia: Përdorte letra false angleze
Ka përfunduar arratia e Ervin Matës. 39-vjeçari i shpallur në kërkim nga SPAK për përfshirje në trafik ndërkombëtar të drogës është arrestuar në Brazil, ku prej kohësh fshihej duke përdorur dokumente identifikimi britanike të falsifikuara.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat vendase, Mata u kap në një lokal, pasi policia mori informacione se një person i shpallur në kërkim po lëvizte në atë zonë. Atij i janë sekuestruar dy aparate celularë dhe dokumente.
Hetimet e SPAK, të nisura në vitin 2023, e lidhin Matën me një grup të strukturuar kriminal që vepronte në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe disa vende të Europës. Ai dyshohet se ka koordinuar aktivitetin e këtij grupi në trafikun e rreth 240 kilogramëve kokainë, një ngarkesë e dokumentuar si e lëvizur më 29 shtator 2020.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, si dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Hetimet zbuluan gjithashtu se dosja përfshin bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar me agjenci nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania, Brazili dhe Kolumbia, si dhe hetime për ngjarje të mëparshme kriminale të ndodhura në Shqipëri.
Autoritetet shqiptare dhe ato braziliane po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku pritet të përballet me drejtësinë
Fraksion.com

