AktualitetPolitikëTë fundit

Hoxha: Investimi te të rinjtë, garanci për shërbimin diplomatik

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një bashkëbisedim me brezin e ri të diplomatëve, në ambientet e Ministrisë që drejton.

Hoxha nënvizoi se vendi ka nevojë për një brez të ri diplomatësh, të pajisur me aftësitë dhe vizionin për të përballuar një botë gjithnjë e më dinamike, si dhe plotësisht të sinkronizuar me ritmin e ri të Shqipërisë në rrugën e saj evropiane.

“Diskutuam për plane dhe ambicie, dëshira e projekte, por mbi të gjitha për rëndësinë e përcjelljes së dijes dhe përvojës në shërbimin e jashtëm, si një themel i domosdoshëm për ndërtimin e një brezi të ri diplomatësh për Shqipërinë që duam”, u shpreh Hoxha.

Sipas ministrit Hoxha, një diplomaci e hapur ndaj talenteve të reja është thelbësore për Shqipërinë 2030.

“Ky është edhe synimi i thirrjeve të hapura tashmë nga MEPJ: ajo për rezervën e strukturuar të talenteve dhe thirrja për të shërbyer në misionin shqiptar pranë BE-së, për të forcuar dhe pasuruar një sistem që duhet të jetë në zemër të ndërveprimit tonë me botën, duke rritur më tej reputacionin dhe emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Investimi te të rinjtë sot, sipas ministrit Hoxha, është garancia për një shërbim diplomatik më të fortë nesër dhe për një Shqipëri që ecën me siguri drejt familjes evropiane.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com