AktualitetBota+Të fundit

Rusia e Koreja e Veriut bien dakord për bashkëpunim ushtarak

Ministri rus i Mbrojtjes dhe kryetari i Dumës Shtetërore po vizitojnë Korenë e Veriut. Të dy vendet duan ta vendosin bashkëpunimin ushtarak mbi baza të qëndrueshme dhe afatgjata.

Bashkëpunimi ushtarak, politik dhe ekonomik mes dy vendeve është intensifikuar në kuadër të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Phenianin i ka ofruar mbështetje ushtarake Moskës, veçanërisht për të zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni kufitar rus i Kurskut.

Në qershor të vitit 2024 Moska dhe Pheniani nënshkruan një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë, gjatë një takimi mes Kim Jong Un dhe presidentit rus Vladimir Putin në Phenian.

Ministri rus i Mbrojtjes vlerëson marrëveshjen e re ushtarake

Ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov po zhvillon një vizitë në Korenë e Veriut dhe do të zhvillojë bisedime me Kim dhe zyrtarë të tjerë.

Po ashtu Belousov pritet të zhvillojë takime me udhëheqjen më të lartë të Koresë së Veriut dhe me zyrtarë të lartë ushtarakë, si dhe të marrë pjesë në “ceremoni dhe aktivitete përkujtimore” në kryeqytet. Në fotografitë e publikuara nga Ministria ruse e Mbrojtjes ai shihet duke përqafuar Kim-in.

Ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov duke përqafuar Kim Jong Un
Ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov duke përqafuar Kim Jong UnFotografi: Russian Defence Ministry/AFP

“Ramë dakord me Ministrinë e Mbrojtjes së RPDK-në që bashkëpunimin tonë ushtarak ta vendosim mbi baza të qëndrueshme dhe afatgjata,” tha Belousov, duke përdorur inicialet e emrit zyrtar të Koresë së Veriut, Republika Popullore Demokratike e Koresë.

“Ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë këtë vit një plan për bashkëpunimin ushtarak ruso-korean për periudhën 2027–2031,” tha ai, në bisedime ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, No Kwang.

Volodin dhe Jo Yong Won tek monumenti për ushtarët e vrarë në luftë kundër Ukrainës
Kryetari i Dumës Shtetërore, Vyaheslav Volodin, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të monumentit për ushtarët korano-veriorë të vrarë në luftë kundër Ukrainës.Fotografi: Korean Central News Agency/Korea News Service/AP Photo/picture alliance

Kryetari i Dumës në ceremoninë përkujtmore për ushtarët koreano-veriorë

Andrei Belousov gjithashtu ndau dekorata ushtarake për ushtarët koreano-veriorë që kishin luftuar kundër forcave ukrainase në rajonin kufitar rus të Kurskut, pjesë të të cilit Ukraina i kishte marrë për disa muaj gjatë një kundërofensive.

Koreja e Veriut ka ndërtuar në Phenian një monument për ushtarët e saj të vrarë në luftë kundër Ukrainës.

Vladimir Putini i dërgoi Kim Jong Un një telegram me rastin e inaugurimit, njoftoi Kremlini, duke e falënderuar atë dhe ushtarët për përpjekjet për të ndihmuar për rimarrjen e rajonit të Kurskut nga Rusia.

Kryetari i Dumës Shtetërore, dhoma e ulët e parlamentit rus, Vyaheslav Volodin, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit në kryeqytetin koreano-verior.

Detajet mbi humbjet e trupave koreano-veriore që luftojnë për Rusinë janë të pakta, por sipas vlerësimeve të Koresë së Jugut deri në shtatorin e vitit të kaluar mund të jenë vrarë rreth 2.000 syresh. Nga forcat ukrainase  janë kapur vetëm dy ushtarë koreano-veriorë./DW

 

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com