Gjukanoviq dënohet me gjashtë vjet burgim për spiunazh kundër Kosovës
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim Jellena Gjukanoviqin, të cilën e ka shpallur fajtore për spiunazh kundër shtetit të Kosovës.
Ajo ishte e pranishme në gjykatore në shpalljen e aktgjykimit, në pasditen e së hënës.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se vendi është i angazhuar në zbulimin dhe parandalimin e spiunazhit.
Lidhur me dënimin prej gjashtë vjetësh burgim për Gjukanoviqin, Sveçla shkroi në rrjetet sociale se vendime për raste të tilla duhet të jenë “në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda për këto akte”, duke kërkuar që të ketë më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri.
Gjukanoviq, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u arrestua në shkurt të vitit 2025, ndërsa aktakuza ndaj saj u ngrit në shtator të po atij viti.
Ajo e ka mohuar fajësinë, teksa Prokuroria Speciale e Kosovës në fjalën përfundimtare të mbajtur javën e kaluar kërkoi dënim prej 25 vjetësh burgim.
Gjukanoviq, nga Mitrovica e Veriut, u arrestua në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.
Gjykimi ndaj saj nisi më 16 shtator të vitit të kaluar. Në aktakuzë thuhet se ajo ka transmetuar informacione tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Prokurori special, Bekim Kodraliu, gjatë gjykimit ka thënë se Gjukanoviq kishte qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviq, zyrtar tjetër i saj.
“Me këtë të fundit, e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd”, ka deklaruar ai.
Sipas Kodraliut, Gjukanoviq ka shfrytëzuar pozitën që mbante në OSBE, duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiqit, i dënuar tashmë për spiunazh, si dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s.
Prokuroria ka thënë se Gjukanoviq ka kontribuar në krijimin e një “narrativi armiqësor” ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, sipas Prokurorisë Speciale, Gjukanoviq ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.
Për çfarë u akuzua Gjukanoviq?
Jellena Gjukanoviq akuzohej se, prej një date të pacaktuar deri në momentin kur ishte arrestuar, më 28 shkurt 2025, në cilësinë e zyrtares vendore të misionit të OSBE-së në Kosovë, me dashje kishte ndihmuar në formë aktive Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë [BIA].
Sipas aktakuzës të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, Gjukanoviq i kishte ofruar BIA-s të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Këto informacione, gjithnjë sipas aktakuzës, Gjukanoviq ia kishte dhënë agjentit rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiqit, i cili u dënua për spiunazh nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 qershor 2025.
“…të cilat informacione pastaj janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtarin tjetër Lubisha Bukviq, ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në zyrat e BIA-së në Beograd”, thuhet në aktakuzë.
Duke e shfrytëzuar pozitën si “zyrtare e Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale në Mitrovicë”, pranë Zyrës rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, Gjukanoviq akuzohet se përmes udhëzimeve që merrte nga i dënuari për spiunazh Vllajiq dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s, kishte ndikuar të përpiloheshin raporte të OSBE-së për situatën politike në Kosovë në atë mënyrë që të paraqesin një narrativ “armiqësor ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës”.
Me këtë veprim, sipas aktakuzës, ajo e ka cenuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare dhe e ka vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe të personelit të OSBE-së në Kosovë.
Sipas dokumentit, në dy telefonat e saj që janë konfiskuar, prokuroria ka gjetur komunikimet e saj me zyrtarët e shërbimit sekret serb.
Nga të dhënat e ekzaminuara të telefonave ishte gjetur se Gjukanoviq e kishte informuar në vazhdimësi agjentin serb Aleksandër Vllajiq përmes komunikimeve në shtatë numra të ndryshëm të tij dhe në disa raste ishte takuar edhe me zyrtarin tjetër të BIA-s Lubisha Bukoviq, në Beograd.
Në aktakuzë janë paraqitur edhe pamje të ekranit me të dhëna nga OSBE-ja, në lidhje me çështjen e targave të veturave në veri të Kosovës.
“A lexuat se [kryeministri i Shqipërisë, Edi] Rama u dërgoi letër anëtarëve të BE-së për ta liruar [ish-presidentin, Hashim] Thaçi, për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, historinë që Dick Marty bëri akuza të rreme për trafikim të organeve…”, ishte një prej mesazheve që ajo këmbeu me Vllajiqin, zyrtarin e BIA-s.
Teksa akuzohej se mbante komunikim të vazhdueshëm, Gjukanoviq përmendet në aktakuzë se e informonte Vllajiqin në lidhje me një incident ndaj një qytetari serb, duke pretenduar se është sulmuar nga Policia e Kosovës, duke i treguar se si duhet të alarmohen të gjitha ambasadat dhe gazetarët për këtë rast.
Madje në një komunikim me mesazhe të 22 korrikut 2021, të paraqitur në aktakuzë, Gjukanoviqit i kërkohet nga zyrtarët e BIA-s t’u sigurojë informacione për lëvizjen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, për çka sipas aktakuzës, ajo pajtohet ta kryejë si detyrë.
Sipas aktakuzës, në telefonat e saj të ekzaminuar janë gjetur edhe fotografi të policëve të njësive speciale.
Në mesin e veprimeve që Gjukanoviq akuzohet t’i ketë bërë ishte edhe targetimi i individëve të ndryshëm, kryesisht serbë të Kosovës, kinse si bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës në Kosovë, të cilët më pas, gjatë vizitave në Serbi, janë ndaluar, intervistuar, shantazhuar dhe rekrutuar nga BIA, për të punuar në interesin e BIA-së serbe.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi është vepër e rëndë penale dhe dënohet me të paktën pesë vjet burg, nëse vërtetohet fajësia.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa persona, shqiptarë dhe serbë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.
Ekspertët kanë thënë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës./REL
Fraksion.com

