AktualitetTë fundit

Formimi 4-vjeçar në Spitalin e Traumës, mjekët e rinj ndajnë përvojën profesionale

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ndau sot, përvojën e katër mjekëve të rinj specializantë pranë Shërbimit Universitar të ortopedisë në Spitalin Universitar të Traumës.

Në videon e publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale theksohet se përvoja e tyre profesionale i bashkoi këta katër mjekë në zhvillimin klinik dhe atë kirurgjikal përgjatë katër viteve intensive formimi.

Sipas MShMS-së, në përfundim të specializimit të tyre, ata janë tashmë të pajisur me njohuri dhe përgatitje për të ofruar kujdes shëndetësor cilësor në institucionet spitalore.

Kremantin Canaj shprehet se “gjatë rrugëtimit 4-vjeçar në fushën e reumatologjisë–traumatologjisë, ne jemi zhvilluar nga ana profesionale, jo vetëm në aspektin klinik, por edhe në atë kirurgjikal”.

“Këto katër vite kanë qenë një eksperiencë unike pranë Spitalit të Traumës, pasi është e vetmja qendër terciare në vendin tonë që ofron shërbim për pacientët e politraumatizuar. Shpresojmë që kjo eksperiencë do të na shërbejë në vazhdim në shërbimin që do t’u ofrojmë qytetarëve”, tha Roxhers Muçaj.

Ndërsa, mjeku specializant Kevin Xhori nënvizoi se gjatë këtyre viteve ka prekur çdo lëndë të profesionit, si urgjencat dhe trajtimin e patologjive ortopedike duke qenë të përgatitur për të ofruar një shërbim cilësor në vendet ku do të punësohen.

Kemi pasur një mbështetje të madhe nga shefat e pavionit, të cilët na kanë ndihmuar në zgjidhjen e rasteve të vështira gjatë këtij 4-vjeçari”, tha Glori Prifti.

Me rihapjen në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, po zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve në të gjithë vendin, duke forcuar shërbimet shëndetësore edhe në spitalet rajonale e bashkiake.

Mjekët specializantë me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për katër vite gjatë formimit të tyre do të marrin 80% të pagës së mjekut specialist, dhe 100% ata të cilët kryejnë specializimin në degët prioritare “mjekësi familje” dhe “mjekësi urgjence”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com