Rrëzohet kërkesa e PD-së për interpelancë për fondet IPARD, Peleshi: Nuk plotëson kushtet ligjore
Kuvendi rrëzoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla lidhur me fondet IPARD.
Në nisje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi argumentoi se kërkesa u rrëzua pasi nuk plotësonte kushtet ligjore për zhvillimin e interpleancës.
“Në Kuvend është depozituar kërkesa nga grupi parlamentar i PD-së për interpelancë urgjente me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese është vendosur mospranimi i interpelancës pasi kërkesa nuk përmbush kushtet ligjore për t’u pranuar”, tha Peleshi.
Sipas tij, “një pjesë thelbësore e çështjeve të ngritura në kërkesën për interpelancë lidhen drejtpërdrejt me fondet IPARD dhe administrimin e tyre që aktualisht janë nën hetim nga SPAK”.
“Në këto kushte zhvillimi i një interpelance për çështjet që janë subjekt hetimi cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushtetit dhe përbën rrezik real për ndikim në procesin hetimor. Ndaj kërkesa për zhvillimin e interpelancës nuk pranohet”, tha Peleshi.
Nga ana e tij, deputeti i PD-së Xhelal Mziu argumentoi se “kërkesa për interpelancë nuk ishte për retorikë politike por lidhet me shqetësimin që ka sot sektori i bujqësisë, për të cilin kërkohet një zgjidhje emergjente sepse po shkon në regres dhe kolaps”.
Sipas Mziut, Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit parashikon se Parlamenti kontrollon qeverinë, ndërsa prokuroria heton individët.
“Këto janë dy pushtete të ndara që nuk cenojnë njëra-tjetrën. Ju po i përzieni qëllimisht këto që të mos përgjigjet ministri. Ne nuk kemi kërkuar të bëhemi prokurorë, por të bëhemi avokatë të situatës kaotike që po kalon sot bujqësia”, tha Mziu.
Sipas tij, ky është viti i 6-të sot që bujqësia është në regres, ndërkohë që më parë ka kontribuar me më shumë se 20% të GDP-së.
“Viti 2026 është më fatkeqi për bujqësinë se fondet në buxhet janë minimaliste dhe në rënie. Kjo ka bërë që bujqësia të ketë një kontribut shumë minimalist me vetëm 15.4 % në ekonominë shqiptare ndërkohë është ulur ndjeshëm numri i të punësuarve në këtë sektor”, tha Mziu.
Fraksion.com

