AktualitetPolitikëTë fundit

“Përgëzoj Malin e Zi”, Berisha: Axhenda e Kuvendit nuk përfaqëson shqetësimet reale të shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha sot se Parlamenti po funksionon jashtë interesave të qytetarëve, duke u përqendruar në një axhendë që, sipas tij, nuk përfaqëson shqetësimet reale të shqiptarëve.

Sipas tij, sot dy janë çështjet më themelore që u interesojnë qytetarëve shqiptarë, nafta dhe integrimi europian.

Sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, Berisha tha se procesi është bllokuar.

“Integrimin evropian ju e mbyllët, dërgoni poshtë e përpjetë të deleguar të diskredituar, të cilët jo që nuk u zgjidhin ju punë, por përkundrazi neverisin të gjithë ata që i takojnë”, tha Berisha.

Sipas tij, procesi i integrimit është për momentin heqja e imunitetit të ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha gjithashtu se edhe dosja e AKSHI-t, ka marrë përmasa ndërkombëtare dhe është tashmë në vëmendjen e partnerëve evropianë.

“Përgëzoj Malin e Zi që filloi hartimin e traktatit dhe vazhdoi me një frazë pa cituar Shqipërinë, lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor, vetëkuptohej Shqipëria, mbetet në themelet e këtij procesi”, tha ai.

Në lidhje me çmimet e karburantit, Berisha tha se në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit, nafta shitet me shtrenjtë.

“Po nafta? 150 lekë shitet në Maqedoni sepse Maqedonia mori masa të tjera pas rritjes së çmimit. Dhe kjo shitet për të gjithë qytetarët. Për fermerët shitet shumë më lirë. E keni shndërruar në një ndëshkim për shqiptarët. A mundet parlamenti të kapërcejë këtë çështje?”, tha Berisha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com