AktualitetPolitikëTë fundit

Nufi: “KAYO” strukturë koordinuese e industrisë së mbrojtjes, e lidhur me angazhimet në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi sot interpelancë me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në lidhje me shoqërinë shtetërore KAYO.

Gjatë fjalës së tij, Nufi theksoi se qeveria shqiptare po ndjek një model “holding” për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes përmes shoqërisë shtetërore KAYO, e cila operon në partneritet me kapital privat vendas dhe ndërkombëtar.

Sipas ministrit, shoqëria “KAYO”, është konceptuar si një strukturë që koordinon dhe licencon zhvillimin e industrisë, pa qenë vetë prodhues kryesor.

Ai theksoi se modeli i përdorur është i ngjashëm me praktika ndërkombëtare, duke u mbështetur në partneritete për ngritjen e kapaciteteve prodhuese.

“Që në fillim, KAYO është konceptuar jo si kompani drejtpërdrejt prodhuese, duke mbajtur shumë pak nga detyrat që t’i ushtrojë vetë si kompani, por qëllimi i saj ka qenë që të funksionojë si kompani që është Holding, pra bashkëprodhon me kapitale me partnerë privatë që njohin industrinë, që kanë kapitale për t’i angazhuar në këtë industri dhe duke bashkëpunuar me shoqërinë KAYO, e cila është 100% pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, të mund të zhvillojmë industrinë e mbrojtjes dhe të prodhojmë produktet ushtarake për Forcat e Armatosura, strukturat e sigurisë apo edhe për eksport”, u shpreh ministri.

Sipas tij, ky nuk është një model që është shpikur në Shqipëri.

“Ka një lloj paragjykimi për veprimet e shoqërisë, ku është një model ndërkombëtar, funksion dhe në vende të tjera. Qëllimi është të zhvillojë kapitale private, dhe jo shtetërore për ngritjen e një industrie. Industria ushtarake është një nga fushat më të vështira ku qeveria, apo një grup biznesesh mund të kryejë veprimtarinë për shkak se mbart një kontroll shumë të lartë dhe njëkohësisht mbrat garanci të shtuara ligjore, për sa kohë prodhimi i armëve, shitja e armëve, rregullohet gjithmonë në marrëdhënien shtet me shtet”, shpjegoi Nufi.

Sipas tij, kompania shtetërore KAYO është me vete dhe licencuesi i saj është më vete.

“Shqipëria nuk është një vend që nuk e njeh prodhimin ushtarak, pasi jemi një vend që kemi qenë të angazhuar për prodhimin e armëve. Qëllimi KAYO-s ishte rrjetëzimi i industrisë ushtarake dhe që lidhet me angazhimin tonë në NATO”, tha Nufi.

Sipas ministrit rritja e tensioneve globale, përfshirë luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, kanë rritur rëndësinë për prodhimin e armëve dhe municioneve. Nufi theksoi se në këtë kontekst, KAYO synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm për Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë, si dhe të reduktojë varësinë nga importet, në përputhje me angazhimet e NATO.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com