AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Shqipëria la pas pandëshkueshmërinë, negociatat me BE-në në fazë të avancuar

Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se Shqipëria ka lënë pas të kaluarën e pandëshkueshmërisë dhe ka hyrë në fazë të re zhvillimi, ku sundimi i ligjit dhe integrimi evropian janë bërë realitete konkrete.

Në fjalën e tij në sesionin e hapjes së Samitit të IV të Diasporës, Rama kujtoi situatën e viteve të mëparshme, kur vendi përballej me kritika të forta nga Bashkimi Evropian.

“Atëherë kur u mblodhëm për herë të parë, Shqipëria njihej botërisht si atdheu i pandëshkueshmërisë, ku ligji vepronte vetëm ndaj të dobëtëve dhe ku çdo i fortë e sfidonte ligjin”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se sot realiteti është tërësisht ndryshe, duke nënvizuar forcimin e sistemit të drejtësisë.

“Sot pandëshkueshmëria është një mit i së kaluarës në Shqipëri dhe askush nuk është mbi ligjin. Drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë që nga 1912, kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj”, deklaroi Rama.

Duke u ndalur te procesi i integrimit evropian, ai kujtoi se në të kaluarën Shqipërisë i ishte refuzuar vazhdimisht hapja e negociatave.

“Atëherë Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim në BE”, tha ai.

Rama theksoi se, sot vendi ka arritur përparim të shpejtë dhe konkret në këtë drejtim.

“Sot ne i kemi çelur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE dhe e kemi bërë këtë në një kohë rekord, për vetëm 11 muaj”, theksoi kryeministri.

Ai e krahasoi rrugëtimin e Shqipërisë me përvojën e emigrantëve shqiptarë në botë, duke vënë në pah këmbënguljen si element kyç të suksesit.

“Njësoj si ju, kur ju mbyllej dera në fytyrë dhe askush nuk kishte kohë, respekt apo besim për ju, por ju këmbëngulnit, edhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati në momentin kur dera u hap”, u shpreh Rama.

Kryeministri nënvizoi se progresi i arritur ka bërë që vendi të ecë më shpejt se çdo kandidat tjetër në procesin e integrimit.

“Për këtë arsye, Shqipëria i hapi kapitujt e negociatave më shpejt se çdo vend tjetër përpara saj në këtë rrugë”, tha ai.

Në përfundim, Rama theksoi se perspektiva evropiane e Shqipërisë nuk është më një aspiratë e largët, por një proces konkret dhe i përditshëm.

“Kur erdhëm në samitin e parë, e ardhmja evropiane ishte një aspiratë e largët. Sot ajo është një tryezë ku jemi ulur çdo ditë, ballë për ballë me Komisionin Evropian, me ambicien për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027”, tha Rama.

Rama iu referua vizionit historik të Ismail Qemali për shtetin shqiptar, duke theksuar se ai po merr formë konkrete.

“Sot nuk duket më si një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë që zë vend si çdo fjalë e përditshme: ajo që Ismail Qemali tha në momentin themelues të shtetit tonë – “Shqipëria do të bëhet”. Në gojën e Atit të Pavarësisë, ajo fjali nuk ishte një përshkrim, ishte një besim që kaloi ndër breza përmes peripecish të mëdha, dështimesh tragjike dhe ringritjesh frymëzuese. Një besim që sot, si kurrë ndonjëherë, ka marrë trajtën konkrete të shtetbërjes evropiane të Shqipërisë dhe të objektivit që tashmë nuk parafytyrohet, por shihet e preket më afër se kurrë: për ta ulur Shqipërinë në tryezën e familjes evropiane, si e barabartë mes të barabartësh, në vitin 2030”, tha Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com