Rama: Shqipëria kantier i madh transformimesh që fton diasporën për investime
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është kantier i madh transformimesh që e fton diasporën për pjesëmarrje në investime, në inovacion dhe në jetën akademike e ndërtimin e së ardhmes.
Në sesionin e hapjes së samitit IV të Diasporës, Rama nënvizoi rolin e patjetërsueshëm të diasporës në zhvillimin e vendit.
“Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori, por jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën dhe ndjenjën e pakthyeshme të përkatësisë të tyre kombëtare. Ka pasur një kohë jo shumë të largët kur shqiptarët iknin nga atdheu duke marrë me vete guximin e atij që nuk ka gjë për të humbur”, u shpreh Rama.
Por, sipas tij, atë që historia deri dje e quante ikje të pangushëllueshme, koha e ka shndërruar në një lidhje të pazëvendësueshme.
“Diaspora shqiptare nuk është një histori ikjeje. Ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerë e shtuar e Shqipërisë. Mes dallgësh dhe të përpjetash të frikshme shqiptarët ndërtuan jetën në vende që nisën t’i njohin ata jo përmes stereotipeve, por përmes dobisë së tyre, ndërkohë që Shqipëria mbetej një vrimë e zezë në parafytyrimin e të tjerëve”, tha Rama.
Përtej historive individuale të suksesit, Rama tha se diaspora mbart fillin e padukshëm që na lidh të tërëve në këtë tokë që asnjë distancë nuk e këput, gjuha shqipe.
Fraksion.com

