AktualitetPolitikëTë fundit

“Garantim i pluralizmit dhe shmangja e ndikimit kriminal”, Financimi i partive politike, Gjiknuri e Bylykbashi: Duhet transparencë për burimet

Po zhvillohet sot tryeza e parë për Reformën Zgjedhore, ku të pranishëm janë anëtarët e PD e PS, ku në qendër të diskutimeve sot është financimi i partive politike.

Bashkëkryetari i Komisionit Damian Gjiknuri tha se kanë rënë dakord me opozitën që të dalin me një draft të përbashkët që ligji të mos ketë “inate partizane”.

“Së bashku me opozitën kemi vendosur të bëjmë një draft të përbashkët, që të mos ketë inate partizane apo të mos paragjykohet. Përkundrazi, të kemi rregulla të përbashkëta, të pranuara dhe të diskutuara me të gjithë aktorët politikë”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, shëndeti financiar i partive politike është një nga gjërat më të rëndësishme.

Gjiknuri theksoi se partitë politike nuk janë thjesht organizata që vetëqeverisen dhe nuk kanë rëndësi për vendin.

“Përkundrazi shëndeti demokratik, transparenca dhe rregullat sa më të konsoliduara të jenë, aq më i garantuar është edhe shëndeti i demokracisë, sepse partitë qeverisin vendin si në qeveri, dhe në opozitë”, shtoi ai.

Ndaj për Gjiknurin, ndërtimi i një ligji me parametrat, kërkesat dhe standardet që kërkon koha është një element shumë i rëndësishëm.

“Ne në Komisionin e Reformës Zgjedhore vendosëm ta zhvillojmë si çështje të parë financimin e partive. Ligji duhet të jetë proporcional, në përputhje me traditën e vendit dhe me standardet më të mira, por natyrisht duke marrë parasysh edhe jetën shoqërore dhe traditën e shoqërisë shqiptare”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, ligji nuk duhet të kthehet në barrë të rëndë për partitë e vogla politike.

“Ndaj duhet të gjejmë një balancë shumë të qartë që garanton transparencë në përfundimin e auditimit dhe të parandalojë ndikimet e paligjshme në jetën politike e demokratike të vendit. Financimet nga fuqi të huaja shpesh kanë sjellë probleme në vende të tjera duke penguar progresin demokratik apo duke qenë kundër interesit kombëtar. Këto janë gjëra të rëndësishme që ky ligj duhet t’i adresojë”, tha Gjiknuri.

Bashkëkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi theksoi se funksionimi i partive politike është një çështje thelbësore kushtetuese, njësoj si transparenca e financimit të tyre.

“Ajo që dua atë theksoj është se funksionimi i partive politike është po aq një çështje thelbësore kushtetuese, sa edhe transparenca e financimit të tyre. Kërkohet nga partitë politike të publikojnë financat e tyre. Por po kaq partitë politike janë organizma kushtetuese të cilat kanë rol themelor në formimin e pluralizmit dhe demokracisë parlamentare në Shqipërisë”, tha ai.

Ai vuri në dukje se ndër vite theksi kryesor ka qenë tek transparenca, si një element kyç për të shmangur korrupsionin dhe ndikimet e paligjshme.

“Gjatë gjithë këtyre viteve është vënë theks kryesor tek transparenca. Transparenca është një nga elementët e rëndësishëm që partitë politike të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe duke shmangur korrupsionin. Jo vetëm korrupsionin, por edhe influencat kriminale, apo edhe influencat e faktorëve të tretë të huaj, të cilët kanë synim që të ndërhyjnë në sistemin demokratike shqiptar”, u shpreh Bylykbashi.

Sipas tij, reforma duhet të krijojë barriera mbrojtëse për sistemin politik dhe të garantojë një financim të shëndetshëm jo vetëm në aspektin e pastërtisë, por edhe të mjaftueshmërisë së fondeve.

“Pra, duhet të jemi të kujdesshëm që të krijojmë një barrierë dhe të mbajmë të shëndetshëm pluralizmin politik dhe partitë politike. Por transparenca nuk mund të funksionojë pa pasur ujë në burim, pra duhet patjetër që financimi i partive politike të jetë i shëndetshëm, jo vetëm në aspektin e pastërtisë, por edhe të sasisë së financimit që partitë politike marrin për të qenë imune nga nevojat për t’u ekspozuar përtej asaj që kërkon ligji dhe interesi publik. Në duhet të kujdesemi që financimi të jetë i mjaftueshëm dhe i shëndoshë që partitë politike të kenë mundësi që të funksionojnë në mënyrë demokratike brenda tyre dhe në sistemin parlamentar”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi theksoi nevojën për një balancë të shëndetshme mes transparencës dhe pluralizmit, duke garantuar funksionimin demokratik të partive brenda dhe jashtë parlamentit.

“Duhet që ky ligj të parashikojë një sistem limfatik për sistemin politik shqiptar, i cili është i tillë që i bën ata të funksionojnë në mënyrë normale. Ky ligj duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës për interesat e partive, por edhe të publikut. Jo vetëm për partitë kryesore, por edhe ato të vogla dhe të reja, jo vetëm për ato parlamentare, por edhe ato që janë jashtë parlamentit”, tha ai.

Bylykbashi tha se sistemi i ri duhet të shmangë krijimin e mekanizmave represivë që mund të dëmtojnë opozitën apo pluralizmin politik.

“Tema e sotme është sesi ne të ndërtojmë një sistem financimi dhe transparence të financimit i cili prodhon pluralizëm dhe jo një regjim financiar i cili do të ekspozonte partitë politike, kryesisht ato të opozitës, karshi instrumenteve kontrollues dhe represivë të një shtetit të kapur, të kontrolluar apo një shteti i cili ka hyrë dhe ka pushtuar zgjedhjet. Problemet janë të shkruara në raportin e ODIHR”, tha Bylykbashi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com