“SPAK të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi 21 Janarin”, Rama: Plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri
Në podcastin “Flasim” Edi Rama është ndalur te 21 Janari, duke e cilësuar si një “krim shtetëror” që mbetet ende një plagë e hapur për familjarët e viktimave dhe për moralin e drejtësisë në Shqipëri
“SPAK të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim”, tha ai.
Kjo mbeti një plagë e hapur, jo thjesht për familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, por kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar.
Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit në kujtim të katër Dëshmorëve të Atdheut në praninë e familjarëve të tyre, të cilët presin, presin, presin drejtësi.
Dhe 21 janari është në llojin e atyre krimeve që unë i kam thënë qysh krye të herës: Janë krime shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron. Krimet shtetërore duan kohë të zbardhën, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë.
Uroj, shpresoj që SPAK-u, i cili prej gjashtë vjetësh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësinë përfundimisht në binarët e rinj të barazisë para ligjit për të gjithë, – të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe nuk duhet lejuar që të bëhet njollë, sepse do të jetë e pashlyshme, për vetë SPAK”, tha Rama.
Fraksion.com

