Rusia padit institucionin financiar evropian në hakmarrje për mbajtjen e aseteve të Kremlinit
Banka qendrore e Rusisë tha se po padit institucionin financiar evropian Euroclear, i cili mban miliarda në asete shtetërore ruse të cilat BE dëshiron t’i përdorë për të ndihmuar Ukrainën.
Padia po ngrihet për atë që banka ruse thotë se është dëm i shkaktuar që ndikon në aftësinë e saj për të disponuar fonde dhe letra me vlerël, raportoi Reuters.
Në një deklaratë të postuar në shërbimin e mesazheve Telegram, Banka e Rusisë tha se po ngrinte padinë e saj në një gjykatë të Moskës për shkak të “veprimeve të paligjshme të depozituesit të Euroclear, të cilat po shkaktojnë humbje” për bankën.
Ajo shtoi se planet e Komisionit Evropian “për përdorimin direkt ose indirekt” të aseteve bankare pa pëlqimin e saj janë gjithashtu një arsye për veprimin ligjor dhe se po ngre padi për të rikuperuar “dëmet e shkaktuara”.
“Mekanizmat për përdorimin direkt ose indirekt të aseteve të Bankës së Rusisë… si dhe çdo formë tjetër e përdorimit të pakoordinuar të aseteve të Bankës së Rusisë, janë të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë shkeljen e parimeve të imunitetit sovran të aseteve”, tha ajo.
Banka shtoi se do të sfidonte përpjekjet e Komisionit për të përdorur asetet e saj duke përdorur çdo mjet të disponueshëm, duke përfshirë edhe përmes gjykatave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Asetet ruse për të ndihmuar Ukrainën
Hakmarrja nga Moska vjen ndërsa Komisioni Evropian vazhdon diskutimet mbi përdorimin e miliarda dollarëve në fondet ruse të mbajtura në Euroclear për të financuar një kredi dëmshpërblimi prej 140 miliardë eurosh për Kievin mes luftës së vazhdueshme të Kremlinit në Ukrainë.
Plani, i propozuar në tetor, do t’i siguronte Kievit fonde për të blerë armë dhe për të mbështetur mbrojtjen e tij kundër Moskës.
Sipas planeve të përkohshme, Ukraina do të duhej ta shlyente kredinë vetëm nëse merrte kompensim pas luftës nga Rusia.
Megjithatë, BE-ja ende nuk ka arritur konsensus për këtë çështje, me Belgjikën – ku është selia e Euroclear – që refuzon të mbështesë skemën pa garanci se aleatët do të ndanin rreziqet ligjore dhe financiare.
Kryeministri belg Bart De Wever ka sugjeruar gjithashtu se plani mund të kërcënojë përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një marrëveshje paqeje midis Kievit dhe Moskës.
Blloku kohët e fundit trajtoi disa nga shqetësimet e Belgjikës duke propozuar përdorimin e fondeve të bllokuara ruse nga e gjithë BE-ja dhe jo vetëm të fondeve kryesore prej 185 miliardë eurosh që mbahen në Euroclear në Bruksel.
Komisioni Evropian gjithashtu ka nxitur shtetet anëtare të nënshkruajnë garanci që do të shpërndanin rrezikun ligjor në të gjithë bllokun.
Afërsisht 260 miliardë deri në 300 miliardë euro në asete ruse janë ngrirë globalisht si rezultat i pushtimit të Ukrainës nga vendi. Nga ky total, rreth 210 miliardë euro mbahen në Evropë, pjesa më e madhe e të cilave në Belgjikë.
Reuters, duke cituar diplomatë të BE-së, raportoi se qeveritë e shteteve anëtare duan të arrijnë një marrëveshje të premten për të ngrirë asetet ruse për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në vend që të kenë nevojë të rinovojnë vendimin çdo gjashtë muaj.
Fraksion.com

