AktualitetPolitikëTë fundit

Papandile: Gjykata Kushtetuese ka nevojë për një ndërtesë dinjitoze

Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile, prezantoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, projektbuxhetin për vitin 2026 për Kushtetuesen.

Buxheti total për Gjykatën Kushtetuese është parashikuar rreth 257,3 milionë lekë, të ndara në 205,8 milionë lekë për paga, 45,5 milionë lekë për mallra e shpenzime, 1 milion lekë transferta dhe 5 milionë lekë për blerje pajisjesh informatike dhe zyra.

Në fjalën e tij, Papandile theksoi se “Gjykata Kushtetuese, ka shtuar punën për eficiencën dhe kohëzgjatjen e hetimeve. Sipas statistikave të mirëfillta është shtuar numri i ankimimeve nga individët organizatat e të tjera”.

“Duke u shtuar kërkesat, shtohet puna, kur shtohet puna duhen fonde shtesë për mirëfunksionim dhe organizmin, mirëmbajtje të gjykatës si nga ana administrative dhe gjyqësore. Kërkesat tonë kanë qenë në rritje, por kemi pasur bashkëpunim me Ministrinë e Financave”, tha Papandile.

Papandile shtoi se “sa i përket vitit 2025 tek pjesa e shpenzimeve kapitale, ose të një fondi investimeve, janë tri procedura; që është një rikonstruksion i pjesshëm i katit të katërt që është lidhur kontrata dhe dy zëra të tjerë që janë pasurimi i fondit të bibliotekës dhe pjesa e informatizimit. Janë procedura duke u zhvilluar”.

“Tek informatizimi, kemi kërkuar shtesa për të ndihmuar në pjesën ndaj rritjes së sulmeve kibernetike, pasi kemi vendosur një server të ri”, tha ai.

Ai shtoi gjithashtu se është kërkuar një “fond minimal, për një sistem antizjarr dhe nuk na është akorduar”.

Sa i përket kërkesës për këtë fond, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi tha se “duhet të akordohet menjëherë”.

Deputeti i Partisë Demokratike Ivi Kaso tha se “reduktimi i parashikimit buxhetor do të tingëllonte si hakmarrje e ekzekutivit për vendimmarrje që nuk i kanë pëlqyer”.

“Besoj se Gjykata Kushtetuese ka nevojë të zhvillojë infrastrukturë të re, të digjitalizojë arkivën, të rrisë transparencën e vendimeve. Do të doja të shihja mbështetje më të madhe buxhetore për rritje të stafit juridik dhe këshilltarëve”, tha Kaso.

Megjithëse nuk ishte te kërkesat për vitin 2026, Papandile tha se ka nevojë për një ndërtesë dinjitoze për Gjykatën Kushtetuese.

“Do ishte në të mirë të funksionit të punës që sa më shumë staf juridik i specializuar, aq më efikase dhe eficiente do të jetë vendimmarrja si për sa i përket cilësisë, ashtu edhe shkurtimit të kohës së marrjes së vendimit. Por për këtë duhet të kërkoja ngritjen e një ngrehine dinjitoze për Gjykatën Kushtetuese, pasi për momentin nuk kemi kapacitete vendesh për këshilltarë apo staf juridik. Ka nevojë për një ngrehinë dinjitoze”, tha Papandile.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com