Koçiu: Shqipëria është një vend i sigurt, 95% zbulueshmëri për veprat penale
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu deklaroi sot se, Shqipëria është një vend i sigurt, teksa theksoi se janë 65,5 milionë euro asete dhe pasuri kriminale të konfiskuara apo të sekuestruara.
Në seancën dëgjimore në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, referuar kërkesës së një të katërtës së deputetëve të opozitës në lidhje me gjendjen aktuale të sigurisë publike në vend, Koçiu iu referua përshkrimit që i ka bërë vendit tonë në vitin 2025 udhërrëfyesi më i famshëm turistik në botë, “Lonely Planet”, i cili thotë se, “Shqipëria është e sigurt, madje shumë më e sigurt se shumë prej vendeve ku jetoni ju”.
Koçiu theksoi se, “edhe në faqet e medieve më të njohura ndërkombëtare, në portalet e ambasadave të huaja, në çdo raport dhe përditësim zyrtar përsëritet e njëjta fjali, “Shqipëria është një vend i sigurt””.
“Mjafton t’i referohemi fakteve dhe shifrave që janë shumë kokëforta se çdo lloj perceptimi apo aludimi që mund të bëjmë këtu”, tha ministrja.
“Janë 12 milionë turistë që zgjodhën të vijnë këtu. Një rekord investimesh. Mijëra qytetarë që hapin biznese, blejnë prona, ndërtojnë jetën e tyre këtu. Secili prej tyre, një dëshmi e qartë e besimit që ka fituar ky vend, një besim që ndërtohet aty ku ka rend dhe siguri dhe patjetër edhe liri”, u shpreh ministrja.
“Një meritë në këtë transformim ka dhe nxjerrja përfundimtare e vendit tonë nga çdo listë e zezë ku e gjetëm pak vite më parë. Në vitin 2025 kemi vendosur një tjetër gur të palëvizshëm drejt rritjes së sigurisë për qytetarët”, tha Koçiu.
Ministrja renditi disa nga arritjet kryesore të institucionit.
“95% e zbulueshmërisë sa i përket veprave penale, thënë ndryshe në 20 vepra penale 19 prej tyre zbardhen në kohë dhe autorët ndalohen. Po punojmë patjetër që ta rrisim më tej”, tha Koçiu.
“Janë 65.5 milionë euro asete dhe pasuri kriminale të konfiskuara apo të sekuestruara. Nuk është e largët koha kur vlera e këtyre pasurive nuk e kalonte vlerën e pak milionëve”, theksoi ministrja.
Koçiu u shpreh se, janë zero turistë të huaj viktima të krimeve të rënda në Shqipëri.
“Lajm i mirë është gjithashtu dhe ulja numrit të krimeve të rënda, përfshi dhe numrin e vrasjeve me dashje. Në 9 muajt e parë të këtij viti u regjistruan 29 vrasje me dashje. Në vitin e lënë pas patëm 41 vrasje për të njëjtën periudhë”, u shpreh Koçiu.
Kjo theksoi ministrja, “është rezultat i qartë i luftës frontale dhe pa kompromis kundër krimit të organizuar”.
Ministrja u shpreh se, “shumë i rëndësishëm ka qenë reduktimi i aksidenteve të rënda me pasoja fatale në rrugë me 17% ulje në krahasim me një vit më parë”.
Sa i përket krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, Koçiu u shpreh se, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm.
Duke cituar progresraportin e Komisionit Evropian për vitin 2025, Koçiu tha se, “vlerëson se vendi ka përmirësuar kapacitetet e Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, përdorimin e hetimeve financiare paralele dhe kuadrin ligjor mbi substancat psikotrope”.
“Nxjerrja e Shqipërisë nga ‘lista gri’ e FATF në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit është një tregues tjetër e rezultateve pozitive”, tha Koçiu.
“Vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2025 u zhvilluan 1121 hetime proaktive me fokus krimin ekonomiko-financiar, trafikimin dhe narkotikët”, tha ministrja.
Sa i përket pastrimit të parave dhe goditjen e pasurive kriminale, Koçiu tha se, “vetëm nga SPAK gjatë vitit të fundit u sekuestruan apo konfiskuan 65,5 milionë euro asete kriminale. E gjithë kjo pasuri rikthehet në buxhetin e shtetit dhe vihet në shërbim direkt të qytetarit, duke financuar shërbime sociale apo programe të dedikuara për rritjen e sigurisë në komunitet”.
Fraksion.com

