“Banda sot nuk fshihen, por janë prezent në Parlament”, Balliu përplaset me ministren Koçiu: Krimi i organizuar kontrollon çdo cep të vendit
Një debat i fortë është zhvilluar sot në Komisionin e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku deputeti i Partisë Demokratike dhe zv/kryetar i Komisionit, Klevis Balliu, u përplas ashpër me ministren e Brendshme Taulanda Kociu duke akuzuar këtë të fundit për gjendjen alarmante sipas tij në vend.
“Krimi i organizuar sot kontrollon çdo cep të vendit,” deklaroi Balliu, duke theksuar se ndërkohë që të gjitha raportet ndërkombëtare flasin për Shqipërinë si nyje të trafikut të kokainës, policia e shtetit nuk kap asnjë gram.
Sipas tij, kjo është prova më e qartë se strukturat e rendit janë nën kontroll të kartelëve dhe jo në luftë me ta.
Balliu iu referua raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), duke theksuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar e kanë bërë Shqipërinë të cenueshme ndaj pastrimit të parave.
“Ju nuk ktheni përgjigje për këtë, sepse s’mund të flisni për një sistem që e keni ndërtuar vetë,” u shpreh Balliu duke akuzuar ministren Kociu për heshtje dhe mbrojtje politike të grupeve kriminale.
Ai theksoi se raportet e DASH konfirmojnë rënien e sigurisë publike:
“Dy policë me të njëjtën gradë, në të njëjtën rrugë — njëri me skaf 200 mijë euro, tjetri mezi paguan qiranë. Ky është imazhi real i një sistemi të kalbur nga korrupsioni
Duke iu referuar Indeksit Global të Krimit të Organizuar 2025, Balliu theksoi se Shqipëria ka shënuar rritje të ndjeshme të ndikimit të grupeve kriminale dhe të nivelit të kriminalitetit në rajon.
“Ndërkohë që në portin e Durrësit nuk kapet prej vitesh asnjë gram kokainë, janë autoritetet e vendeve partnere që kapin tonelata të tëra që dalin nga portet tona,” u shpreh ai.
Balliu ngriti edhe çështjen e ndërtimit të kullave në Tiranë dhe qytete të tjera, që sipas tij financohen me para të pista:
“Vetëm 22% e financimit të tyre vjen nga bankat. Pjesa tjetër është para e zezë që po pastron sistemin financiar. Banka e Shqipërisë bleu 800 milionë euro për të frenuar rënien e monedhës europiane — kjo tregon se paraja e pistë po mbyt ekonominë, ndërsa 20% e shqiptarëve jetojnë në varfëri ekstreme dhe 41% janë në përjashtim social.”
Në mbyllje të debatit, Balliu lëshoi një akuzë të fortë politike:
“Sot, bandat nuk fshihen më — ato kanë përfaqësues në Parlament dhe në çdo hallkë të shtetit. Kjo është fytyra e pushtetit që ka zëvendësuar shtetin me bandat dhe rendin me frikën,” përfundoi zv/kryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Fraksion.com

