AktualitetBota+Të fundit

80 000 forca policie kundër trazirave të mundshme të 10 shtatorit në Francë

Rreth 80 000 xhandarë dhe oficerë policie do të mobilizohen nesër për të parandaluar çdo trazirë gjatë lëvizjes sociale “Blloko gjithçka”, njoftoi ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau, i cili së shpejti do të japë dorëheqjen.

“Ne nuk do të tolerojmë asnjë bllokim, asnjë dhunë, asnjë veprim bojkoti, padyshim”, shtoi Bruno Retailleau në ”France 2”, i cili është planifikuar të takohet me të gjithë prefektët sot për të diskutuar mobilizimin e 10 shtatorit.

Ai kritikoi ashpër lëvizjen ”La France Insoumise” dhe udhëheqësin e saj, Jean-Luc Melenchon duke i akuzuar ata se duan të “nxisin flakët e zemërimit të acaruar të popullit francez”.

”Rebelët duan të krijojnë, siç e tregova, një klimë kryengritjeje”, denoncoi ai.

Duke analizuar gjenezën dhe evolucionin e lëvizjes së 10 shtatorit, ministri vërejti se “fillimisht, pati një mobilizim qytetar” i cili “që atëherë është rrëmbyer dhe devijuar”.

”Pastaj, ishte një radikalizim nga lëvizja e ekstremit të majtë”, vazhdoi ai.

“Ne e dimë që këto grupe të vogla (…) janë të vendosura, janë të organizuara dhe e majta ekstreme është ultra e dhunshme”, shtoi Bruno Retailleau, duke shprehur frikën e veprimeve të dhunshme.

Autoritetet presin veprime të ndryshme në të gjithë vendin të mërkurën, duke filluar nga bllokadat e stacioneve të trenave, rafinerive dhe autostradave kryesore deri te operacionet për sabotimin e kamerave të shpejtësisë dhe demonstratat tradicionale.

Shërbimet sekrete theksojnë vështirësinë e parashikimit të natyrës së kësaj lëvizjeje “horizontale” dhe pa udhëheqës.

”Policia dhe xhandarët e mobilizuar do të kenë udhëzime shumë të qarta: vendosmëri dhe do të duhet të arrestojnë sa më shumë njerëz të jetë e mundur në rast të krimeve të dyshuara”, tha Bruno Retailleau.

“Kur të ketë demonstrata, ne do t’i shoqërojmë ato sepse është një e drejtë kushtetuese të demonstrojmë në mënyrë paqësore. Por, ne vërtet nuk do të tolerojmë asnjë dhunë apo teprim”, paralajmëroi ai.

I pyetur në lidhje me komentet e Bruno Retailleau, Jean-Luc Melenchon tha se “ministri i Brendshëm është në luftë me popullin francez”.

“E them këtë ballë për ballë të gjithëve që më dëgjojnë: mos bëni asgjë tjetër përveç gjërave që janë të kontrolluara dhe të qeta”, deklaroi kreu i LFI-së në ”France 2”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com