AktualitetTë fundit

Qetësohet situata në fshatrat e Gramshit – 42 banesa të djegura, mbi 200 krerë bagëti të zhdukura dhe dhjetëra të evakuuar

Paraqitet më e qetë situata këtë mëngjes në fshatrat e Gramshit të cilët prej tre ditësh janë përfshirë nga flakët.

Ulja e temperaturave, ulja e intensitetit të erës, por dhe puna e qindra ekipeve të terrenit kanë bërë që sot situata të jetë më e qetë. Ka ende vatra aktive në fshatrat e Skënderbegasit dhe Kodovjatit, por ato po mbahen nën monitorim nga autoritetet dhe po punohet për fikjen e tyre.

Kanë filluar ndërkohë të kthehen në banesat e tyre banorët, pasi rrugët janë të hapura dhe nuk përbën rrezik.

Pasditja dhe mbrëmja e kaluar kanë shënuar një përkeqësim të situatës, me vatra aktive të reja të regjistruara në fshatin Ermenj, në Njësinë Administrative Skënderbegas, si dhe në zonën e Teqes së Dushkut. Zjarret po përhapen me shpejtësi në një terren tepër të vështirë,për shkak të dendësisë së lartë të pyjeve dhe bimësisë së thatë,duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.

Sipas të dhënave zyrtare të konfirmuara nga autoritetet lokale, deri më tani janë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë përreth, ndërkohë që dëmet në gjënë e gjallë janë tejet të rënda:

• 130 krerë bagëti të imta
• 22 gjedhë
• 1 thundrak
• 80 koshere bletësh
• Shumë shpendë dhe kafshë të tjera shtëpiake

Për të shmangur rrezikun e ndonjë epidemie, autoritetet kanë filluar që dje procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura, ndërsa shërbimi veterinar është në terren, duke hartuar  procesverbalet përkatëse për dokumentimin e dëmeve. Zona mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, për të frenuar çdo përhapje të mundshme të ndotjes apo sëmundjeve.

• Rreth 50 forca të ushtrisë
• 7 mjete zjarrfikëse
• 200 vullnetarë

Bilanci paraprak flet për 10 fshatra të bashkisë Gramsh të prekur nga flakët,ndër të cilët Bletëza dhe Shëmbërdhenji janë evidentuar  si zonat më të goditura, ku nuk ka mbetur asgjë pas.Operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve po zhvillohen në kushte ekstreme. Dendësia e pyjeve, mungesa e aksesit rrugor dhe erërat e forta që favorizojnë përhapjen e flakëve, kanë vështirësuar punën e zjarrfikësve dhe vullnetarëve në terren.

Zyrtarët lokalë kanë theksuar se çdo orë është kritike për të frenuar përhapjen e mëtejshme, ndërsa kanë apeluar për kujdes të shtuar nga banorët,duke ndaluar çdo veprim që mund të shkaktojë ndezje të reja, si djegia e mbeturinave apo lënia e materialeve të ndezshme në natyrë.Autoritetet lokale dhe ato qendrore kanë kërkuar bashkëpunim maksimal nga komuniteti, jo vetëm për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, por edhe për të raportuar menjëherë çdo vatër të re, në mënyrë që reagimi të jetë sa më i shpejtë dhe i koordinuar.

Emergjencat Civile dhe strukturat e tjera të përfshira në operacion kanë bërë të ditur se operacionet për shuarjen e zjarreve do të vijojnë gjatë gjithë ditës,me synim vendosjen e situatës nën kontroll, ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurisë së tyre.Përgjatë gjithë zonës së Gramshit, veçanërisht në territorin malor, rreziku nga zjarret në pyje dhe kullota mbetet shumë i madh.Temperaturat e larta, thatësira, si dhe faktori njerëzor, janë bashkuar në një përzierje alarmante që po vë në provë kapacitetet vendore dhe ato shtetërore.

Ndërsa flakët nuk kursejnë asgjë në rrugën e tyre, shpresa qëndron te ndërgjegjësimi qytetar dhe përpjekjet e koordinuara,që tragjedia të mos marrë përmasa edhe më të mëdha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com